Shteti muze bektashi i Shqipërisë!

Shpërndaje

Nga Justinian Topulli

Siç edhe pritej Kryeministri Rama i doli në mbrojtje idesë së hedhur për një shtet sovran bektashi në mes të Tiranës, duke quajtur injorant kundërshtarët e tij, që nuk njohkan rolin e bektashinjve në historinë e kombit tonë! Duke mos u mjaftuar me këtë veçori, Rama vuri në dukje se bektashizmi u rrezikuaka në kohë nga zhdukja për shkak të minoritetit të tij. Kështu që një shtet bektashi sovran “do të garantonte një vazhdimësi të qëndrueshme të ekzistencës së tij për breza të tërë”.

Pra Rama kërkon të krijojë një shtet muze në mes të Shqipërisë për të konservuar dhe ruajtur bektashizmin që u rrezikuaka nga tretja, por edhe si një relike e kontributit historik që ky tarikat ka për Shqipërinë.

Ky qe thelbi i argumentit të dytë që nxori Rama, krahas asaj të promovimit të tolerancës që e përsëriti.

Bektashizmi nuk gjendet vetëm në Shqipëri, dhe sipas vetë pretendimeve të kryegjyshit (jo fort të besueshme) bektashinjtë janë gjysma e shqiptarëve dhe janë me miliona nëpër botë.

Kjo do të thotë se as vetë bektashinjtë nuk e ndjejnë këtë rrezik për të cilin flet Rama, të cilit iu dhimbkan më shumë sesa ata për veten e tyre!

Regjimi gjakatar komunist për gjysmë shekulli nuk arriti të zhdukte asnjë besim fetar në Shqipëri, mes tyre as tarikatin bektashi, kështu që nuk e dimë se si dhe nga kush rrezikohet ky tarikat sot në demokraci dhe lirinë e besimit?

Është më se e sigurt se as ky argument i Ramës nuk qëndron, pavarësisht përkujdesjes së shtirur me të cilën ai e paraqet.

Në fakt e vetmja gjë që mund të bëjë sajimi i këtij shteti sovran bektashi, është ta konservojë atë për ta përdorur për qëllime të errëta politike dhe fetare, nga qarqe aspak dashamirëse ndaj muslimanëve në tërësi. Mesa duket kësaj here politika ja paska dalë të mashtrojë përmes premtimeve joshëse dhe t’i marrë mendjen Kryegjyshatës, e cila me siguri pa e kuptuar se çfarë fshihet pas saj, duket se ka dhënë miratimin e saj.

Rama në fakt edhe me kaq sa ka bërë e ka hedhur tashmë provokimin e sherrnajës mes muslimanëve, dhe jo vetëm, ndërkohë që pretendon se kjo do të rrisë dhe forcojë tolerancën! Është më se evidente se do të ketë bektashinj të mashtruar që do ta mbështesin këtë ide intriguese dhe të tjerë që do ta refuzojnë atë, duke futur kështu sherr edhe mes vetë bektashinjve shqiptarë, që as nuk kanë ëndërruar kurrë për një shtet sektar sovran më herët.

Një shtet sovran bektashi, pra një entitet tashmë nga vetëm fetar spiritual edhe në politik, do ta kthente atë në një instrument lehtësisht të përdorshëm nga gjithfarë agjenturash të huaja, që tashmë do të mund të bashkëveprojnë lirshëm, pa u trazuar apo ndaluar nga shteti shqiptar.

Shpërndaje