E kanë caktuar bandat kriminale? Reagon kreu i Policisë së Shkodrës: Shpifje!

Shpërndaje

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi nga foltorja e Kuvendit publikoi sot disa komunikime në aplikacionin “Sky Ecc” të bandave kriminale, ku flisnin për vendosjen e “Mondit” për një dimër në krye të Policisë së Shkodrës, që sipas demokratit bëhet fjalë për drejtorin aktual Edmond Sulaj.

Ky i fundit ka reaguar së fundmi në lidhje me deklaratën e Bardhit, të cilën e konsideron si shpifje, të pabazuar dhe që synon të cënojë figurën e tij.

Edhe pse Bardhi deklaroi se Edmond Sulaj u vendos në krye të Policisë së Shkodrës vetëm një muaj pas komunikimeve në “Sky Ecc” për “Mondin”, drejtuesi i Policisë shprehet se është vendosur në atë pozicion tre vjet pas atyre komunikimeve.

Edmond Sulaj paralajmëron një kallëzim penal për shpifje për Gazment Bardhin.

Reagimi:

Lidhur me disa deklarime të bëra nga një përfaqësus i një subjekti politik në seancën plenare të datës 12.09.2024 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për disa insinuata për emërimin tim Drejtor të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, unë ndiej përgjegjësinë morale dhe profesionale të sqaroj opinion publik se këto deklarata të bëra sot, janë shpifje, të pabazuara dhe synojnë që të cënojnë figurën time në këtë proces të rëndësishëm të hapjes së konkurseve për pozicionet drejtuese në Policinë e Shtetit.

Sqaroj opinionin publik se unë Drejtuesi i Parë Edmond Reis SULAJ, jam emëruar në këtë pozicion sipas Urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nr. 6108, datë 11.10.2023. Sqarohet qartësisht se emërimi im, është kryer rreth 3 vite më vonë se periudha kohore së cilës i referohet deklaruesi.

Në vijim, informoj se do të procedoj me hapat ligjorë që parashikon ligji në fuqi, përfshirë edhe depozitimin e një kallëzimi penal.

Faleminderit!

Shpërndaje