Drejtoresha e Gjmnazit “28 nëntori” në Shkodër Albana Bushati është nderuar nga ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci me titullin e lartë “Urdhri i Yllit të Italisë” , në gradën kalorës.
Fabrizio Bucci, Ambasador i Italisë në Shqipëri, u shpreh :
“Sot është kënaqësi e madhe për mua të kem këtu Albanën e cila merr këtë dekoratë kaq të rëndësishme pikërisht për angazhimin e saj së bashku me ju në ndërtimin e së ardhmes së atyre njerëzve. Jeni ju mësuesit, është Albana e cila në një shkollë shumë të rëndësishme, ndër më të rëndësishmet ka vijuar prej vitesh dhe vazhdon ta bëjë të punojë me përgjëgjësi të madhe për të ndërtuar njerëzit e së nesërmes, sepse Albana dhe mësuesit në përgjithësi janë ata që shkurtojnë distancat mes njerëzve, janë ata që rrëzojnë muret ndarëse dhe këtë bën pikërisht arsimi. Falë punës së Albanës dhe falë punës së gjithsecilit prej jush, gjimnazi që ajo drejton ’28 Nëntori’ është ndër më të rëndësishmit në vend. Për të gjitha këto Albana e meriton këtë titull nderi, sepse ka arritur bashkë me ju të ndërojë ura bashkëpunimi, të formojë të rinj, nxënësit për të bërë njerëz të mirë të së ardhmes. Ne italianët dhe shqiptarët kemi diçka të përbashkët se na pëlqen të qahemi dhe themi a ka të ardhme vendi dhe unë teksa shoh sytë e buzëqeshur të të rinjve në shkolla, kur i vizitoj them, po ata janë e ardhmja, ka të ardhme. Falë kësaj pune Albana merr këtë titull. Ky titull nuk është vetëm i Albanës, por i të gjithë mësuesve.
Ndërsa drejtorja e gjimnazit “28 Nëntori” Shkodër, Albana Bushati, mes falenderimeve theksoi :
“Sot është një ditë e veçantë për mua, është një nder i madh që më jepet dekorata ‘Kalorës i Italisë’. Falenderoj nga zemra secilin prej jush për praninë në këtë ceremoni. Ky nderim është rezultat i punës në skuadër të të gjithë mësuesve të seksionit dy gjuhësh, të mbështetjes së vazhdueshme të dhënë nga Ambasada dhe zyra e saj e shkollave si dhe shpirtit të bashkëpunimit midis tre seksioneve të Tiranës, Korçës dhe Shkodrës. Puna ime në seksionin dy gjuhësh ka për qëllim arritjen dhe ruajtjen e cilësisë dhe nivelin e lartë të kulturës dhe gjuhës italiane nëkëtë seksion, për shoqërimin e nxënësve në rrugëtimin e tyre të rritjes së arsimimit duke i kthyer njohuritë dhe aftësitë e tyre në kompetenca për të vijuar me lehtësi studimet universitare, si në Itali ashtu edhe në Shqipëri. Kjo dekoratë më motivon më shumë për të vijuar këtë rrugëtim dhe bashkëpunim në seksionin dy gjuhësh. Faleminderit Italisë, një vendi mik dhe të gjithëve ju”.
Gjimnazi “28 Nëntori” në Shkodër prej 13 vitesh ka seksionin dy gjuhësh, ndërkohë që ky institucion arsimor drejtohet nga profesoreshë Albana Bushati në 12 vite duke ndarë një sërë suksesesh kombëtare, 1 vit më parë edhe çmimin “Nderi i Kombit”.