Nga Senad Nikshiqi
Gazetar apo vorraxhi?
Kjo që po bëjnë disa media shqiptare (televizione dhe portale online qofshin) duke i shkuar deri tek varri Almës në Durrës është më shumë se çnjerëzore. Ne nuk jemi as vorraxhi (megjithë respektin për ta), as agjensi funeralesh, as prodhues varresh por jemi media, jemi gazetarë.
Cili është ky interes për opionionin publik që t’i ofrojmë këto pamje të tmerrshme nga ceremonia e varrimit kur ajo po futej në varr?
Çfarë sjell kjo për të ndihmuar hetimin dhe zbardhur të vërtetën?
Mediat duhet të sjellin vetëm qëndrimet zyrtare të institucioneve të drejtësisë, deklaratat dhe dëshmitë zyrtare apo dëshmitë për media si dhe prova dhe fakte që mund të ndihmojnë në zbardhjen e të vërtetës.
Askund nuk besoj në botë nuk kemi parë media që shkojnë deri tek varri në raste të tilla. Kjo është një shkatërrim total i çdo etike mediatike, njerëzore dhe çdo morali shoqëror.
E po ashtu edhe njoftimet e vdekjes që kanë dalë bashkë me fotot e nënës me fëmijë shpesh të pambuluara në fytyra janë një skandal më vete për të cilat edhe prokuroria, gjykatat apo drejtësia shqiptare nuk duhet të hesht.
Sido qofshin, me pa apo pa faj, të mirë apo të këqinj, të vdekurit duhet t’i lëmë të prehen në vendin ku i takon dhe drejtësia të thotë fjalën e saj.
Kjo çmenduri mediatike e ditëve të sotme për të marrë disa klikime dhe për të mbajtur gjallë veten në audiencë përmes grykës së varrit duhet që të fundoset njëherë e mirë.
Çdo media, çdo pronar mediash, drejtues, shefa redaksie, çdo gazetar a kushdo qoftë duhet që t’i lënë gazetarët të bëjnë gazetarin dhe jo t’i kthejnë në “vorraxhi” duke i kërkuar dhe vendosur nën presion që të dërgojnë pamje nga varrosja.
Kjo duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë!