Kreu i këshillit të qarkut Shkodër Edmond Ndou ka nderuar me çertifikatë “Mirënjohje”, 3 personalitete të fushës së mjekësisë, Prim. Dr. Gani Karamanaga, Prof. Dr. Isuf Dedushaj dhe mbas vdekjes Prof. Dr. Simë Dobrecin. Një vlerësim ky për punën dhe kontributin e jashtëzakonshëm që ata kanë dhënë për krijimin e urave të bashkëpunimit mes mjekëve në trojet shqipfolëse, por edhe duke çuar përpara shkencën e mjekësisë, me studime, simpoziume dhe botime, që kanë kapërcyer kufijtë e vendit tonë.
Për secilin prej këtyre personaliteteve, ka më shumë se një motivacion vlerësimi, pasi puna e tyre shumëdimensionale në shkencën e mjekësisë, ka bërë që sot ata të jenë emra të nderuar në shumë vende të botës.
U zgjodh ky moment që një vlerësim t’i jepet edhe mjekut shkodran Astrit Beci, nga Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika.
Në fund të ceremonisë, dy mjekët e nderuar Prim. Dr. Gani Karamanaga dhe Prof. Dr. Isuf Dedushaj i dhuruan kreut të qarkut Ndou botimet e tyre: Enciklopedi e doktorëve të shkencave të mjekësisë shqiptare gjithandej globit (1445-2018) dhe e mjekëve që lanë pas gjurmë të pashlyera në historinë e mjekësisë shqiptare, si dhe “Mjekët shqiptarë nga Mali i Zi”.