Shkodër
Vijon operacioni policor i koduar “Luarza 1”, që goditi një muaj më parë, një rast të tentativës për kultivim të bimëve narkotike.
Kapet dhe vihet në pranga 48-vjeçari i shpallur në kërkim, njëri nga 2 autorët e këtij rasti.
Në zbatim të planit të masave të hartuar në kuadër të megaoperacionit mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër kapën dhe vunë në pranga shtetasin Pllumb Lohja, 48 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi dyshohet se në bashkëpunim me shtetasi N. L., 38 vjeç (i cili u arrestua gjatë operacionit, më datë 28.03.2024), në fshatin Luarz, Velipojë, kishin mbjellë në kubikë, fara dhe fidanë cannabis, me qëllim kultivimin në tokë. Gjatë operacionit, në këtë fshat, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 37 336 kubikë me fara dhe fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, 1 automjet, 1 traktor dhe sende që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.