Këshilli i Lartë Gjyqësor pritet të mblidhet sot dhe të marrë një vendim lidhur me mbrojtjen e gjyqtarit të Shkodrës, Tonin Sterkaj, të cilit iu vendos tritol në banesë.
Ngjarja u dënua nga KLGJ, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja e ministri i Brendshëm, Taulant Balla të cilët kanë kërkuar të zbulohen autorët e këtij akti të rëndë, ndërkohë KLGJ pritet të dalë sot me vendimin për mbrojtjen e gjyqtarit.
Një sasi e vogël tritoli u vendos paraditen e 28 prillit në portën e banesës së gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër, Tonin Sterkaj. Në momentin e shpërthimit në banesë ka qenë gjyqtari dhe bashkëshortja e tij. Pista kryesore e hetimeve lidhet me detyrën e Tonin Sterkajt si gjyqtar, megjithatë po hetohen dhe pista të tjera.
Kamerat e sigurisë në banesën e gjyqtarit Sterkaj kanë filmuar autorin të veshur me rroba të errëta dhe me maskë i cili në rrugicë ka hyrë në këmbë dhe pasi afrohet pranë portës vendos lëndën plasëse dhe largohet në këmbë. Është marrë në pyetje gjyqtari Sterkaj por dëshmia e tij nuk ka ndihmuar hetuesit. Ai ka deklaruar se nuk ka pasur ndonjë çështje madhore në shqyrtim dhe se së fundmi nuk ka marrë kërcënime.
Tonin Sterkaj ushtron prej shumë vitesh detyrën e gjyqtarit në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër ndërsa për një periudhë dy vjeçare ka punuar edhe si gjyqtar në gjykatën e Apelit të Shkodrës. Pas mbylljes së Apelit, Sterkaj u kthye si gjyqtar në Gjykatën e Shkalles se Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.