Faturat e papaguara të energjisë elektrike, OSHEE bën njoftimin e rëndësishëm…

Shpërndaje

OSHE Group ka prezantuar skemat lehtësuese deri në fund të vitit 2024, për detyrimet e papaguara të energjisë.

Skemat e aktmarrëveshjeve për shlyerjen e detyrimeve të papaguara të faturave të energjisë të cilat kanë nisur zbatimin prej datës 3 prill, janë mirëpritur nga klientët debitorë të kompanisë OSHEE Group, të cilët kanë mundësi të paguajnë me këste lehtësuese këto detyrime.

Furnizuesi i Shërbimit Universal, FSHU, pjesë e kompanisë OSHEE Group, vlerëson se deri më tani janë 677 aktmarrëveshje të firmosura me klientët debitorë ku më shumë se 50% e këtyre i përkasin kategorisë së klientëve familjarë që kanë shlyer detyrimin njëherësh me një këst të vetëm, duke përfituar reduktim të kamatëvonesave në masën 70%.
“Skemat lehtësuese ndryshojnë për secilën kategori në varësi të statusit social të tyre dhe debisë që kanë me OSHEE Group.

Ne jemi kujdesur veçanërisht për kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë, për klientët familjarë me ndihmë ekonomike, pensionistë-kryefamiljarë dhe klientët me status të veçantë, të cilët përfitojnë këste akoma më lehtësuese dhe që shtrihen më gjatë në kohë, krahasuar me kategoritë e tjera.
Theksojmë se klientët familjarë përfitojnë reduktim të kamatëvonesës në masën 70%, në rast të shlyerjes së gjithë detyrimit përnjëherësh”, deklaron për mediat drejtori i Drejtorisë së Marrëdhënieve me Klientin në FSHU, Marsed Harizi.
Klientët jo familjarë, buxhetorë dhe jo buxhetorë përfitojnë reduktim të kamatëvonesës në masën 50%, në rast të shlyerjes së gjithë detyrimit përnjëherësh.
Ndërsa kategoria klientë jo familjarë – biznes i vogël përfitojnë reduktim të kamatëvonesës në masën 100%, në rast të shlyerjes së gjithë detyrimit përnjëherësh.
Në skemat e aktmarrëveshjeve që do të zbatohen gjatë këtij viti, do të përfshihen gjithashtu edhe detyrimet e papaguara nga faturat; dëm ekonomik, fatura sistemuese, fatura testim matësi, fatura korrektive që i përkasin vitit 2023 e në vijim.
OSHEE Group i bën thirrje çdo klienti që të paraqitet në zyrat e Kujdesit të Klientit që të përfitojnë nga skemat lehtësuese, por më parë ata duhet të shlyejnë faturat e energjisë elektrike nga viti 2023 dhe në vazhdim.
“Skemat lehtësuese që po aplikojmë, përfshijnë detyrimet e papaguara ndaj OSHEE group për periudhën para 31 dhjetorit të vitit 2022. Aktmarrëveshjet janë mekanizëm lehtësues për të gjithë klientët tanë të cilët mbartin debi për shumë vite dhe është momenti ideal, që ata t’i drejtohen zyrave tona të kujdesit të Klientit, pasi FSHU është përpjekur në maksimumin e saj të rritë cilësinë, transparencën dhe komunikimin e informacionit për të gjithë pyetjet që ata mund të kenë”, thekson Harizi.
OSHEE group ka realizuar në vitin 2023 një nivel arkëtimesh prej 99.3%, krahasuar me 98% të arritur në vitin 2022, në raport me 75% që ka qenë vite më parë ku dhe niveli i borxhit është akumualur me ritëm të shpejtë.
Sot niveli i debisë, faturat e papaguara arrijnë në shumën 85 mld lekë, ku prej tyre 25 mld lekë është borxhi ndër vite që institucionet publike, bashkitë ujësjellësat, ministritë, kopshtet i kanë OSHEE group, pjesa tjetër i përket familjarëve.
OSHEE Group i bën thirrje të gjithë klientëve që kanë detyrime të papaguara ndaj kompanisë, që të lidhin aktmarrëveshje për shlyerjen e detyrimeve me këste, në të kundërt do të jenë në listën e debitorëve të cilëve do tu pritet energjia.

Shpërndaje