Miratohet kredia për hekurudhën Vorë – Hani i Hotit – Qeveria ratifikon marrëveshjen e huasë me BERZH për projektin e rehabilitimit…

Shpërndaje

Qeveria ka ratifikuar marrëveshjen e kredisë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit. Marrëveshja u nënshkrua në shkurt të këtij viti, ndërkohë që pas miratimit nga Këshilli i Ministrave ajo do të duhet të kalojë në Parlament për të hyrë në fuqi.

Sipas të dhënave të bëra publike më herët, kredia e BERZH kap vlerën e 98.75 mln euro, ndërkohë që kosto totale për rehabilitimin e hekurudhës Vorë – Hani i Hotit përllogaritet në 373.15 mln euro.

Struktura e financimit për këtë projekt ndahet midis kredive të dhëna nga BERZH dhe Banka Evropiane Investimeve, një granti të Bashkimit Evropian dhe mbulimit të TVSH-së nga buxheti i shtetit. Granti i BE-së kap vlerën e 137.9 mln euro, ndërsa kredia e BEI, 120 mln.

Tashmë, edhe me këtë të fundit është nënshkruar marrëveshja e huasë, teksa ngjashëm me kredinë e dhënë nga BERZH ajo duhet të kalojë në qeveri e më pas në Parlament për t’i hapur rrugë disbursimit.

Kjo linjë hekurudhore përshkon ultësirën perëndimore me stacione në Vorë – Mamurras – Laç – Milot – Lezhë – Shkodër – Koplik – Hani i Hotit, ku bëhet dhe lidhja me Malin e Zi.  Komuniteti i Transportit ka vlerësuar se rehabilitimi i saj do të sjellë një sërë përfitimesh në drejtim transportit të pasagjerëve, mallrave, por edhe mjedisit.

Edhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si një nga kreditoret e projektit e vë theksin te përfitimet mjedisore dhe sociale, që do të sjellë zbatimi i tij. Gjatësia e kësaj linje hekurudhore është 120 kilometra.

Ola Mitre / SCAN

Shpërndaje