Trupat e 100 palestinezëve, të cilët u dorëzuan nga Izraeli pasi i rrëmbyen në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës, u varrosën në një varr masiv në qytetin Rafah, transmeton Anadolu.
Sipas lajmit të agjencisë zyrtare palestineze WAFA, forcat izraelite kanë dorëzuar 100 trupa të palestinezëve që kishin rrëmbyer në pjesë të ndryshme të Gazës që nga 7 tetori.
Raportohet se “Në ekzaminimin e disa trupave të palestinezëve të paidentifikuar, u konstatua se disa nga organet e tyre ishin vjedhur”. Thuhet se trupat u varrosën në një varr masiv në qytetin Rafah në jug të Gazës.
Në deklaratën e saj të mëparshme, qeveria në Gaza akuzoi Izraelin për rrëmbimin e trupave të palestinezëve dhe marrjen e organeve të tyre jetësore dhe kërkoi krijimin e një komiteti të pavarur ndërkombëtar hetimor për këtë çështje.
Në një deklaratë me shkrim nga Zyra për media të Qeverisë në Gaza më 27 dhjetor thuhet se janë marrë trupat e 80 palestinezëve të vrarë dhe të rrëmbyer pas sulmeve tokësore të Izraelit në Gaza. “Pas ekzaminimit të trupave, u zbulua se tiparet e fytyrës së dëshmorëve kishin ndryshuar ndjeshëm. Ky është tregues i qartë se forcat pushtuese kanë marrë organet vitale nga trupat e dëshmorëve”.
Autoritetet palestineze njoftuan se forcat izraelite rrëmbyen më shumë se 100 trupa nga morgu dhe oborri i spitalit gjatë bastisjes në spitalin Shifa në Gaza nëntorin e kaluar.