Hipokrizia ndaj palestinezëve po shndërrohet në institucion ndërkombëtar…

Shpërndaje

Nga Redi Shehu

Imagjinoni katër dekada më parë,  fëmijë të vegjël  përpara autoblindave dhe tankeve izraelite që godisnin me gurë ushtrinë më të fortifikuar të kohës. Pamjet dhe fotot e asaj kohe u kthyen në simbolin e rezistencës për çdo popull në përballjet e tij me pushtuesin. Jo vetëm kaq, por edhe shalli karakteristik i palestinezëve, u bë flamuri i cili përfaqësonte çdo lloj proteste qytetare në të gjithë Perëndimin e Lindjen bashkë. Kanë kaluar  më shumë se katër dekada dhe ato fëmijë sot janë bërë burra dhe në duart e tyre tashmë nuk ka më gurë. Rezistenca nuk është një  përpjekje simbolike e gurit ndaj hekurit të blinduar, por e rezistencës së armatosur. Nëse ka një arsye të evolucionit nga guri tek raketat palestineze, ai është padyshim Izraeli me mizoritë e tij. Ashtu siç ka ndodhur me të gjitha kolonizimet, procesi i përbashkët i tyre ka qenë dehumanizimi i vendasve duke zhveshur nga njerëzorja banorët autoktonë me qëllim që t’i japë një justifikim moral  “dhunës së civilizuar” të ushtruar ndaj tyre. Kështu ka ndodhur në Amerikën Veriore, në atë Jugoren në Kanada, në Australi dhe në të gjitha vendet e kolonizuara nga të ashtuquajturat shtete të qytetëruara e demokratike.

Procesi i dehumanizimit të vendasve ka nevojë për një narrativë hipokrite e cila do ta bënte këtë proces të pranueshëm dhe të kuptuarit e kësaj narrative bëhet vetëm duke kontekstualizuar ngjarjet. Imagjinoni sikur grupe të armatosura ukrainase do të kalonin kufirin e fortifikuar rus, disa me forca tokësore dhe disa me paralighting. Do të merrnin nën kontroll një numër qendrash të banuara, baza ushtarake dhe stacione policie duke vrare qindra syresh. Do të lëshonin mijëra raketa në drejtim te Moskës. Do të kapnin dhe 250 robër e do të ktheheshin në Ukrainë nga e cila do t’i kërkonin Rusisë që në këmbim të robërve të tërheqë forcat e ushtarake nga territoret e pushtuara ukrainase. Tani, më thoni se cili do ishte reagimi i komunitetit ndërkombëtar? Padyshim që do të quhej një akt heroizmi. Një betejë legjitime për mbrojtjen e vendit nga pushtimi 2 vjeçar rus i Ukrainës. Për më tepër kur Ukraina vetëm në një kohë të shkurtër u bë paralelja e Gazës, pa energji dhe ngrohje, i gjithë komuniteti ndërkombëtar dhe lidershipi i BE-së e quajti “akt i pastër terrori”, ndërkohë që asfiksimi biologjik i Gazës  për 17 vite pa asnjë parametër jetësor, konsiderohet si një ngjarje aksidentale, ndërsa gjenocidi zionist 75 vjeçar ndaj Palestinës konsiderohet si “ngjarje historike”.

Hipokrizia nuk është më thjesht një narrativë, ajo përherë e më tepër po shndërrohet në  institucionin me të cilin kombet “superiore” ndërtojnë marrëdhëniet me ato “inferioret”. Shumë protesta në botë të cilat përfundonin të ishin edhe të dhunshme por që i shërbenin interesave të superiorëve, quheshin protesta demokratike nga Evropa Lindore, Kaukazi e deri në Hong Kong, por kur për dekada me radhë fëmijë dhe të rinj protestonin me gurë ndaj tankeve dhe autoblindave izraelite, emërtoheshin si terroristë. Kur dronët ukrainas shkonin te godisnin deri në Moskë, reklamohej në të gjitha mediat ndërkombëtare si rezistenca legjitime ukrainase. Kur një hebre nga cepi më i largët i botës kërkon të banojë në Izrael nën të ashtuquajturën “e drejtë e rikthimit” i jepet menjëherë shtetësia dhe ka liri lëvizjeje kudo. Një palestinezi i cili është autokton në tokën e tij nuk i lejohet të dalë  nga qyteti i tij drejt një qytetit tjetër. Në kohën që në Kanada apo në të gjithë Perëndimin ka një ligj në të cilin nuk mund të mohosh holokaustin, në Izrael me ligj nuk mund të përmendësh “Nakba”-n, gjenocidin e vitit 1948 ndaj palestinezëve. Imagjinoni sikur gjërat të ishin krejt në krahun e kundërt, hebrenjtë të ishin asfiksuar prej 17 vitesh në Gaza dhe të shfaroseshin në Bregun Perëndimor nga Palestinezët, cili do ishte  artikulimi i ndërkombëtarëve për situatën? A do mohonte Scholz i Gjermanisë armëpushimin, apo Blinken, do shkonte ti ofronte Egjiptit miliona dollarë që ti mbante hebrenjtë në Sinai që Gaza t’u mbetej palestinezëve?

Hipokrizia kthehet në institucion kur bie fjala për Palestinën dhe palestinezët, ajo është e tillë edhe kur flitet për të drejtën e popujve arabë për demokraci, e tillë ishte hipokrizia  në raportet e saj me pranverën arabe. Kur në vitin 2006 u bënë zgjedhjet e para demokratike në Palestinë të certifikuara nga organizmat ndërkombëtarë, Sh.B.A dhe Izraeli ndërhynë ushtarakisht dhe shpërndanë me forcë këshillin e ministrave, parlamentin dhe të gjitha institucionet e reja demokratike të ngritura nga vullneti popullor i palestinezëve sepse kjo nuk i shkonte për shtat planit të spastrimit të territoreve palestineze nga Izraeli. Kur në vitin 2012 u zhvilluan zgjedhjet demokratike në Egjipt të certifikuara nga të gjitha organizmat ndërkombëtarë, Izraeli në bashkëpunim me të gjithë faktorin ndërkombëtar,  u mobilizuan për të rrëzuar qeverinë demokratike duke ndezur revolta të sponsorizuara në vitin 2013 që përfunduan në masakra ndaj popullsisë civile, sepse donin t’i linin Izraelit një fqinj nën pushtetin e njerëzve të shitur dhe jo atyre të zgjedhurve demokratikisht në mënyrë që gjenocidi dhe spastrimi etnik 75 vjeçar të vazhdonte pa probleme.

Pas armëpushimit disa ditor, Izraeli filloi masakrën e bombardimeve me tërbim edhe më të madh duke shtuar qindra viktima gra e fëmijë në listë tragjike të sulmeve. Nuk mundet një qenie njerëzore t’ia bëjë këtë një qenieje tjetër njerëzore siç po vepron Izraeli, vetëm nëse e dehumanizon atë dhe e shndërron në bindje këtë dehumanizim. Mosveprimi i fuqive të mëdha në raport me masakrën dhe gjenocidin më të madh dhe më të dokumentuar të historisë tonë moderne, tregon se procesi i dehumanizimit nuk ka rënë mbi viktimat por mbi ata që heshtin. Nuk mundet një qenie njerëzore të mos veprojë ndaj masakrave të tilla drejtuar një qenieje tjetër njerëzore vetëm nëse janë zhveshur nga njerëzorja dhe ndjenjat që e shoqërojnë atë. E në raste të tilla duhet hipokrizia, bile hipokrizia e shndërruar në institucion ndërkombëtar për të ndërtuar alibinë e shëmtuar të gjoja ruajtjes së vlerave njerëzore.

Shpërndaje