Makina e shtypshkrimit të Prof. Jup Kastratit…

Shpërndaje

Këtë të Martë, ju prezantojmë me makinën e shtypshkrimit të intelektualit të shquar të qytetit tonë Shkodrës, por edhe të kulturës së kombit tonë, prof. Jup Kastratit. Makina e shtypshkrimit Olivetti e tipit Studio 42 e prodhuar në 1935. Prof. Kastratit ia pat blerë këtë makinë si dhuratë i ati i tij, Hasan Kastrati, një njeri me mendje të hapur i cili, pasi kishte parë prirjet e hershme për studim të të birit, Jupit, ia sjell nga Italia në fillim të viteve ’40 të shekullit të kaluar.

Prof. Jup Kastrati, asokohe një i ri adoleshent (i datëlindjes 1924), fillon ta përdorë duke shtypur edhe artikujt e parë që do ta lançonin për pak vjet në shtypin e kohës me artikujt të karakterit studimor si “Dramatika shqipe”, e mandej me përkthimin e “Fabulave” të Fedrit e për 63 vjet radhazi nuk reshti asnjëherë. Kjo makinë u bë dëshmitarja e vetme e punës gjigande të Profesor Jupit. Janë mbi 40 vepra që mbajnë autorësinë e tij, e me qindra artikuj studimorë e publicistikë e, kjo makinë ishte mjeti më i dashur i tij deri në mbylljen e syve në shtator të 2003. Ai nuk e braktisi asnjëherë Olivetti-n e tij, as atëherë kur kompjuterat kishin filluar të futeshin në jetën e secilit shqiptar.

Që nga 2003, qëndron e futur në rulin e makinës, letra e bardhë që Profesori la për të punuar, por që nuk arriti të shtypë më pas sëmundjes në vitin e fundit të jetës. Makina e shkrimit Olivetti, ruhet nga familja e Profesorit, krahas skrivanisë prej xhami që i përket të njëjtës periudhë të fillim shekullit. Në Itali ku dhe u prodhua, kjo tipologji makine ruhet në Muzeun Kombëtar të Shkencës dhe Teknologjisë “Leonardo da Vinci” në Milano, ndërsa për familjarët ajo mbart vlerën e paçmueshme të atij që e përdori aq vlefshëm për thuajse treçerek shekulli, Prof.Jup Kastratit.

Shpërndaje