Derdhja e ujërave të zeza në lumin Buna/ Pasoja shkatërruese për Florën dhe Faunën…

Shpërndaje

Fenomeni i ujërave të zeza pranë lumit Buna në Shkodër është i hershëm dhe nuk po merr zgjidhje. Me situatën e krijuar aktualisht, një sipërfaqe e konsiderueshme që laget nga ujërat e lumit Buna është kthyer në një moçal të vërtetë, ku gjen gjithçka ndotëse.

Prej gati tre dekadash autoritetet vendore por edhe ato qendrore, kanë përsëritur premtimin për ngritjen e një impianti të pastrimit të ujërave të zeza të qytetit, për të shmangur ndotjen e Lumit Buna. Ky projekt i hartuar nga Bashkia e Shkodrës vite më parë, me mbështetjen e Bankës Gjermane për Zhvillim vijon të mbetet në letër megjithëse së fundmi u premtua se në vitin 2021 do të niste zbatimi i tij.

Ujërat e zeza të qytetit shkarkohen vetëm pak metra larg urës së vjetër të Bunës duke ndotur gjithë bregun e fshatrave të Nënshkodrës, që shtrihen në të dy anët e lumit, në një gjatësi prej rreth 40 kilometrash. Duket se lumi Buna nuk ka ndjerë asnjëherë ndërhyrjen për pastrimin apo thellimin e shtratit duke e rënduar së tepërmi situatën, në këtë ligatinë tepër të rëndësishme për Shkodrën, por në të ardhmen edhe për rajonin.

Kjo ndotje ndikon direkt edhe në largimin apo dëmtimin e resurseve peshkore. Më përpara ujërat e zeza të qytetit derdheshin në lumin Drin në pjesën hyrëse, vetëm pak metra pas urës se Bahçallekut.Më vonë derdhja e këtyre ujërave u zhvendos përgjatë shëtitores së molos. Shkodra është një nga qytetet e Shqipërisë që rrethohet nga ujërat e lumenjve Buna, Drin dhe Kir si dhe nga ato të Liqenit të Shkodrës, i cili është edhe më i madhi në Ballkan.

Shpërndaje