I ndodhur 70 km larg Shkodrës, Parku Kombëtar i Thethit vitet e fundit po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj.Në këto ditë të nxehta vere sidomos në fundjavë shumë turistë vendas, por edhe të huaj preferojnë të zgjedhin këtë zonë , për të shijuar natyrën e bukur, ajrin e freskët dhe ushqimet bio të zonës.Por ajo që bie në sy është se për të huajt turizmi i aventurës është më i preferuari në guidat turistike të cilat fatkeqsisht kanë përfunduar edhe me humbje jete.
Për këtë Drejtori i Zonave të Mbrojtura Agim Dardha bën të ditur se përmes një projekti është duke u punuar për të nisur proçesin për digjitalizimin e të dhënave që shërbejnë për të marrë të dhëna, për rrezikun potencial që mbartin disa shtigje, si dhe për vendosjen e tabelave informuese për turistët nëpër këto zona të vështira. Gjithashtu kreu i Zonave të Mbrojtura ka edhe një apel për të gjithë që frekuentojnë shtigjet nëpër alpe që të mos shkaktojnë ndotje për shkak se është thuajse e pamundur që këto mbeturina të pastrohen për shkak të shkallës së vështirësisë që kanë.
Pikat kryesore që vizitohen janë Monumenti i Natyrës si Syri Kaltër, vaskat në Ndërlysa. Ujëvara e Grunasit, kanioni i Grunasit, shtegu Theth-Valbonë, shpella e Arapit, Shtegu i Bjeshkëve të Namuna etj. Thethi është i vizitueshëm në katër stinët, ku në pranverë dhe verë për gjelbërimin e rrallë, në dimër për bardhësinë e dëborës dhe për lojërat aventureske me të, ndërsa vjeshta për ngjyrat mahnitëse dhe begatinë në frutikulturë.