Gati formula e re për trajtimin e ish-pronarëve. Do të rihapet afati për të vlerësuar financiarisht, të gjitha ato vendime me të drejtë kompensimi të pronës, të pavlerësuara më parë. Nuk do të ketë më vlerësim financiar më pak se 10 për qind, sipas zërit kadastral aktual, si dhe, do të indeksohet shuma e kompensimit deri në pagesën përfundimtare.
Por nuk do të ndalohet vetëm në këto hapa, subjektet që i janë drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë për të kërkuar vlerësimin financiar, kanë të drejtë të heqin dorë nga gjykimi i çështjes dhe të paraqesin kërkesë pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave.
Sakaq, të gjithë ato subjekte, të cilët i janë drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë për kërkesat e patrajtuara për njohjen e pronës, kanë të drejtë të heqin dorë nga gjykimi i çështjes dhe të paraqesin kërkesë pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave për shqyrtimin e dosjes së tyre.
Kjo vlerësohet të jetë zgjidhje përfundimtare nëpërmjet formulës së re të procedurave për trajtimin e dosjeve për pronarët.
Çfarë ka ndodhur?
Qeveria ka bërë ndryshime në ligjin e pronave, duke vendosur kthimin e pronave, pa kufizim, të gjithë ish-pronarëve që i janë konfiskuar nga shteti si dhe shpërblimin financiar në rast se prona është zënë me ndërtime informale apo nëse përdoret për interes publik.
Me hyrjen në fuqi të ligjit 77/2022 që ndryshon ligjin e vitit 2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave” dhe, me miratimin në fund të majit të këtij viti të ndryshimeve në dy vendimet e Këshillit të Ministrave, të vitit 2016, Agjencia e Trajtimit të Pronave nuk ka më asnjë pengesë ligjore për vijueshmërinë e procesit të njohjes dhe kthimit të pronës si dhe të kompensimit të saj.
Qeveria i është përgjigjur kështu rekomandimeve të dhëna nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në vendimin “Beshiri kundër Shqipërisë”, si dhe Vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2021.
Mbi këto ndryshime, Agjencia e Trajtimit të Pronave ka filluar procedimin administrativ për ato dosje të patrajtuara më parë me vendim si dhe ka deklaruar se nuk do të ketë më kufizim në kthimin fizik të pronës.
Të gjithë ato subjekte të cilët i janë drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë për kërkesat e patrajtuara për njohjen e pronës, kanë të drejtë të heqin dorë nga gjykimi i çështjes dhe të paraqesin kërkesë pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave për shqyrtimin e dosjes së tyre.
Gjithashtu do të rihapet afati për të vlerësuar financiarisht, të gjitha ato vendime me të drejtë kompensimi të pavlerësuara më parë, nuk do të ketë më vlerësim financiar më pak se 10 për qind sipas zërit kadastral aktual si dhe do të indeksohet shuma e kompensimit deri në pagesën përfundimtare.
Subjektet që i janë drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë për të kërkuar vlerësimin financiar, kanë të drejtë të heqin dorë nga gjykimi i çështjes dhe të paraqesin kërkesë pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave.
Kush ka një vendim për njohje dhe kompensim prone, paraqet kërkesën, ndërsa format e kompensimit janë; Kompensimi fizik brenda pronës së njohur subjektit të shpronësuar; Kompensimi fizik nga fondi i tokës, Kompensimi financiar.
Vendimet përfundimtare, që janë vlerësuar me vlerë financiare deri 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë, mund të kompensohen financiarisht në masën 100 (njëqind) % të vlerës së tyre financiare.
Në rastet kur ish pronari nuk përfiton kompensim fizik dhe ka një vendim përfundimtar, të vlerësuar financiarisht, përfiton kompensim financiar nga fondi financiar i kompensimit, deri në 20% të vlerës totale të kompensimit financiar, por jo më shumë se 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë dhe pjesa e mbetur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar kompensohet fizikisht nga fondi i tokës.
Në përfundim, Qeveria ka rishikuar ligjin e pronave për të mbyllur procesin e nisur 30 vite më parë. Me ndryshimin e fundit, pronat e lira do të kthehen pa kufizim tek ish-pronarët, ndërsa për tokat e zëna nga ndërtimet, pronarët do të marrin kompensim.