Kryesia e PD merr vendimin, zgjedhjet për kryetar do mbahen më 29 korrik…

Shpërndaje

Kryesia e Partisë Demokratike vendosi mbajtjen e zgjedhjeve për Kryetar të PD-së më 29 korrik.

Pas shumë orësh mbledhje, e shoqëruar me debate e tensione, Kryesia vendosi me 17 vota pro, 2 kundër dhe 3 abstenim, hapjen e procesit zgjedhor dhe mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar të selisë blu, ndërsa fushata zgjedhore do të zhvillohet nga data 24 qershor deri në 27 korrik. Kandidatët për kryetar të PD-së, kanë të drejtë që të paraqesin kërkesat për kandidim brenda datës 20 qershor.

Sipas vendimit të Kryesisë, në çdo degë të PD brenda datës 15 korrik do të kryhet procesi i plotë i evidentimit të anëtarëve me të drejtë vote, proces ky që kryhet nga grupi i punës i ngritur nga kryetari i degës.

“Në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike të mbajtur me 6 qershor 2023, Kryesia vendosi hapjen e procesit zgjedhor dhe mbajtjen e zgjedhjeve për për Kryetarin e PD me datë 29 korrik 2023. Vendimi u miratua me 17 vota pro, 2 vota kundër dhe 3 abstenime. Bashkëlidhur vendimi i Kryesisë së PDSH”, thuhet në njoftim.

VENDIMI:

Kryesia vendosi fillimin e menjëhershëm të procesit të evidentimit të anëtarësisë, dhe organizimit të zgjedhjeve për kryetar të PDSH.

Në çdo degë të PD brenda datës 15 korrik kryhet procesi i plotë i evidentimit të anëtarëve me të drejtë vote sipas përcaktimeve të nenit 25 të statutit.
Kryetari i degës ngre grupin e punës të degës i cili ka për detyrë të kryejë evidentimin e anëtarëve me të drejtë vote;
Grupi i punës në degë bën evidentimin e anëtarësisë dhe strukturave në detyrë brenda datës 13 korrik;
Lista e përpiluar sipas formatit në aneksin 2 depozitohet pranë sekretariatit të PDSH.
Komisioni zgjedhor përpilon listën kombëtare të anëtarësisë me të drejtë vote sipas përcaktimeve të nenit 25.

  1. Organizimi i procesit për zgjedhjen e kryetarit të PDSH:

Procesi zgjedhor drejtohet nga Komisioni Zgjedhor i Partisë;
Pranë komisionit Zgjedhor, secili kandidat paraqet kërkesën për kandidim brenda datës 20 qershor 2023;
Fushata zgjedhore zhvillohet nga data 24 qershor deri në 27 korrik 2023;
Zgjedhjet për kryetar të PDSH zhvillohen në datë 29 korrik 2023.
Kryesia e PDSH brenda datës 12 qershor 2023, cakton grupin e punës në nivel qarku që në bashkëpunim me degët mbikëqyrin procesin e evidentimit të anëtarësisë;

Kuvendi i jashtëzakonshëm statutor zhvillohet brenda muajit shtator 2023;

Ngarkohen Sekretari i përgjithshëm, sekretariati dhe Komisioni Zgjedhor për njoftimin dhe ndjekjen e zbatimit të këtij vendimi.

Shpërndaje