Çmimet e apartamenteve të kullave në Tiranë arrijnë sa në Dubai; Agjencitë imobiliare parashikojnë sërish shtrenjtim të qendrës…

Shpërndaje

Çmimet e apartamenteve në kullat luksoze që po ndërtohen në Tiranë ofrohen në nivelet e kullave në Dubai.

Në një nga zonat rezidenciale në qytetin e Marina Dubai çmimet e apartamenteve nisin nga 5,100 euro për metër katror, ndërsa në zonë detare afër portit Rashid çmimet e apartamenteve nisin nga 4,900 euro për metër katror. Diferencë e ngushtë çmimesh vihet re edhe për apartamentet në resortet luksoze që po ngrihen në jug të vendit.

Sipas të dhënave të një prej agjencive të pasurive të patundshme “Continental Investments LMD LLC” në Dubai në kompleksin rezidencial “Marina Living” në qytetin Marina Dubai prona më e lirë me sipërfaqe 71 metër katror kushton në vlerën e 363,755 eurove. Çmimi për metër katror llogaritet rreth 5,100 euro. Ndërsa vlera maksimale e një apartamenti me sipërfaqe 90 metër katror është 512,942 euro. Çmimi për metër katror llogaritet në vlerën e 5,700 eurove. Zona rezidenciale “Marina Living” ofron shërbime, si: palestra, fushë golfi, shfrytëzimin e pishinës në tarracë, ambiente fëmijësh etj.

Vjet çmimi i apartamenteve në një nga ndërtimet luksoze Tiranës “Book Building”, që ka filluar të ndërtohet pas Sahatit arriti në vlerën e 5,000 eurove për metër katror sipas zyrës së shitjes së kontaktuar nga Monitor. Nga zyra e shitjeve gjithashtu u pohua se edhe në Rainbow Center tek ish Blloku, që është godinë me 7 kate (nga të cilat dy kate janë qendra tregtare) apartamentet u shitën me çmim 5,000 euro për metër katror.

Ekziston një debat për çmimet e deklaruara nga zyrat e shitjeve për pronat luksoze në Tiranë dhe çmimit përfundimtar nga transaksionet e shitjes. NAREA pohon se çmimet e pronave të shitura në Tiranë nuk kalojnë në vlerën e 3,500 euro për metër katror. Sipas të dhënave të NAREA nga agjencitë imobiliare rezulton se çmimi mesatar i shitjes së pronave luksoze në kryeqytet është 3,300 euro për metër katror. “Mbi këtë nivel çmimi i shitjes është i papërballueshëm nga blerësit”, pohuan nga NAREA.

Theksojmë që pjesa dërrmuese të apartamenteve në kullat e kryeqytetit shiten nëpërmjet zyrave të shitjes së kompanive ndërtuese. Agjencitë imobiliare përfshihen në shitje për një numër shumë të ulët pronash në këto ndërtesa, kryesisht në apartamente që u përkasin pronarëve të truallit apo raste rishitje nga blerësi i parë.

A do shtrenjtohen më çmimet në Tiranë?

Çmimet e apartamenteve në kryeqytet kanë arritur pikun e tyre. Në ndërtimet e reja si zona e ish Bllokut çmimet e apartamenteve ofrohen me 3,500 euro për metër katror. Në ndërtimet e reja në hyrje të Komunës së Parisit çmimit kanë arritur 2,200 euro për metër katror.

Për agjentët e agjencive të pasurive të patundshme apartamentet në Tiranë për një periudhë afatshkurtër nuk pritet të kenë rritje të çmimeve, duke përjashtuar qendrën.

Ilda Zaloshnja nga agjencia imobiliare “The Point” pohoi për “Monitor” se rritja më e lartë e çmimeve të apartamenteve u regjistrua vitin e kaluar.

Për 6 mujorin e parë të 2022-t në Tiranë çmimi i pasurive të patundshme rezultoi 28,4% më shtrenjtë se 6 mujori i mëparshëm. Në raport më vitin 2021, çmimet e pronave për periudhën janar-qershor 2022 ishin 39% më shtrenjtë sipas raportit të stabilitetit financiar të Bankës së Shqipërisë.

Zaloshnja parashikon që tendenca rritëse këtë vit do të jetë vetëm në zona elitare të Tiranës, ndërsa në zonat e tjera rezidenciale do të ketë stanjacion të çmimeve.

“Çmimet e apartamenteve kanë arritur pikun e tyre, ku vitin e kaluar u shënua rritja më e larta. Nuk parashikojmë këtë vit shtrenjtim tjetër të çmimeve, me përjashtim të disa ndërtimeve në zonat elitare, siç mund të jetë komuna e Parisit apo zona e ish Bllokut ku mund të ketë rritje nga 100 apo 300 euro për metër katror në fazën përfundimtare të objekteve të reja në raport me çfarë është çmimi është deklaruar në fazën fillestare të objektit. Kjo parashikohet të ndodhë për objekte me vendodhje mjaft të favorshme”, pohon ajo.

Jonian Antoni administrator i agjencisë “CENTURY 21 Albania” pohoi për Monitor se për në periudhë afatshkurtër, për 2 deri 3 vitet e ardhshme nuk do të ketë më shtrenjtime të çmimit të pronës.

Edhe Dritan Leka nga agjencia imobiliare “Century 21 CPM Smart”, shton se në një periudhë afatshkurtër, si pasoje edhe e krizës ekonomike qe po prek shumë vende të botës, por edhe si pasojë e rritjes së shpejtë të interesave bankare apo Inflacionit nuk do të ketë rritje të mëtejshme të pronave.

Çmimet e bregdetit

Në bregdetin shqiptar çmimet e pronave në resortet e reja që kanë nisur të zhvillohen kanë arritur në nivelin e 3,500 eurove për metër katror. Konkretisht në dy resorte të reja që po zhvillohen njëri në Orikum çmimet e apartamenteve janë 2,500 deri 3,000 euro për metër katror, ndërsa në Sarandë çmimet e apartamenteve në një nga resortet e zonës janë 3,000 deri 3,500 euro për metër katror.

Çmimet e apartamenteve në jug të Shqipërisë nuk kanë diferencë të madhe me ato të Dubait, tashmë i kthyer në destinacion “brand”, si për ndërtimet dhe cilësinë e jetesës.

Në “Dubai Maritime City” zonë detare afër me portin, aeroportin, transportin publik çmimet e apartamenteve në vijën e parë nisin nga 4,900 euro për metër katror.

Konkretisht çmimi i një apartamenti me sipërfaqe 74 metër katror arrin në vlerën e rreth 362,000 eurove. Çmimi për metër katror 4,890 euro.

Për apartamentet me verandë të bollshme çmimet nisin nga 5,000 euro për metër katror. Vlera totale e një apartamentit me sipërfaqe 94 metër katror (68 metër katror janë sipërfaqe banimi 26 metër katror verandë) është 469,111 euro

Ndërsa një apartament me sipërfaqe 120 metër katror, kushton 720,376 euro me 6,000 euro për metër katror.

Apartament me sipërfaqe 195 m2 kushton në vlerën e 1,163,000 eurove apo 5,900 euro për metër katror. Apartamenti përfshin sipërfaqe banimi prej 132 metër katror dhe 63 metër katror ballkon. Ky është niveli më i lartë i çmimit për apartamente të thjeshta. Ndërsa niveli më i lartë i çmimit për apartamente dublex arrin në vlerën e 1,398,669 me total sipërfaqe 212 metër katror me çmimi 6,600 euro për metër katror./D.Azo/monitor/

Shpërndaje