Çdo ditë ai del me një peshore në një nga rrugët më të populluara të qytetit. Ai është Kujtim Lika dhe në Shkodër është thuajse e pamundur të gjesh dikë që nuk ka ndaluar para peshores së tij ndërsa ka mbi 32 vite që del çdo ditë në rrugët e Shkodrës.
Ndonëse për Kujtimin peshorja është një mjet jetese, ai e ka të vështirë t’i shikojë kalimtarët në rrugë thjesht si klientë.Nuk janë të pakët as turistët që ndalojnë para tij por me këta të fundit e ka disi më të vështirë komunikimin.
Peshorja e Kujtimit ngjan e vjetër por ajo është funksionale dhe nuk ka ndërmend ta zëvendësojë me një elektronike.Ditët me shi ndonjëherë bëhen pengesë për punën e përditshme të tij.
Kujtimi ndihet falenderues ndaj të gjithë atyre që ndalen para tij dhe thotë se peshorja i është bërë pjesë e pandarë e jetës.