Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka miratuar disa ndryshime në udhëzimin “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore” i botuar në Fletoren Zyrtare.Udhëzimi parashikon që për të punësuarit që janë me raport barrë lindje ose raport mjekësor, që nuk janë ende shkëputur nga puna marrin përfitime nga skema e sigurimeve shoqërore nëse nuk kanë punuar për 1 muaj dhe jo pas ditës së 14 siç parashikoj në udhëzimin e mëparshëm.
“Kategoria 31. I punësuar, i cili për gjithë muajin ka qenë me raport leje barrëlindje ose raport mjekësor pas ditës së 14 dhe merr përfitime nga skema e sigurimeve shoqërore, por nuk i ka shkëputur (zgjidhur) marrëdhëniet e punës me subjektin përkatës”, parashikonte udhëzimi i kaluar.Në ndryshimet e botuara në Fletoren Zyrtare parashikohet që për kategoria 31 që janë gratë shtatzane “I punësuar, i cili për gjithë muajin ka qenë me raport leje barrëlindjeje dhe merr përfitime nga skema e sigurimeve shoqërore, por nuk i ka shkëputur (zgjidhur) marrëdhëniet e punës me subjektin përkatës.”Pagesë për paaftësi nga sëmundjet përfitojnë vetëm të punësuarit. Konkretisht 14 ditëshi i parë paguhet nga ana e subjektit ku punon përfituesi. Mbi ditën e 14-të të raporteve, të cilat jepen nga Komisioni Mjekësor (KM), raportet paguhen nga sigurimet shoqërore. Por gjithmonë llogaritjet bëhen nga subjekti. Raporti mjekësor paguhet deri në 6 muaj gjithsej, duke përfshirë dhe pagesën prej 14 ditësh.
“Në mbështetje të Kodit të Punës dhe të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për rastet e sëmundjeve dhe të kujdesit të fëmijës në ngarkim të sëmurë, të vërtetuara me raport mjekësor, deri në 14 ditët e para të raportit paguhen nga punëdhënësi ndërsa pas ditës së 14 raportet mjekësore paguhen nga fondet e sigurimeve shoqërore.Të ardhurat e personit si pasojë e raportit mjekësor deri në 14 ditët e para, për efekt të pagesave të kontributeve të sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi trajtohen, njëlloj si edhe të ardhurat nga paga, pavarësisht nga mënyra e llogaritjes së shpërblimit ditor. Pra nga shuma e përllogaritur e të ardhurave të punëmarrësit ndalet kontributi i sigurimeve shoqërore, shëndetësore si dhe tatimi mbi të ardhurat nga punësimi sipas përcaktimeve ligjore. Gjithashtu punëdhënësi paguan kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, që është detyrimi i tij dhe që llogariten kundrejt të ardhurave të punëmarrësit”, citohet në udhëzimin që është në fuqi.Pas kategorisë 31 me udhëzimin e ndryshuar shtohen edhe kategoritë 32 dhe 33, me përmbajtje, si: “Kategoria 32. I punësuar, i cili për gjithë muajin ka qenë me raport mjekësor pas ditës së 14 dhe merr përfitime nga skema e sigurimeve shoqërore, por nuk i ka shkëputur (zgjidhur) marrëdhëniet e punës me subjektin përkatës.
Kategoria 33. I punësuari me aftësi të kufizuara, përfshirë personat që nuk dëgjojnë dhe invalidët e punës të vlerësuar pjesërisht të aftë për punë nga komisionet përkatëse, për të cilët lind detyrimi i derdhjes së kontributeve nga punëdhënësi, sipas dispozitave të ligjit nr. 15/2019, “Për nxitjen e punësimit”.