Policia e Shtetit thotë se është në rrugë të mbarë në lidhje me hetimet për gjetjen e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj. Teksa kanë kaluar më shumë se 4 muaj nga zhdukja e 40-vjeçarit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku tha sot se policia e Shtetit është në rrugë të mbarë për të zgjidhur këtë çështje.
‘Sot jemi për një çështje tjetër me madhore, por do t’ju përgjigjem shkurt. Absolutisht policia e shtetit është në rrugë të mbarë për hetimin e rastit për të cilin ju i referoheni. Ne mendojmë se jemi në rrugën e mbarë për të zgjidhur rastin.’- tha Rrumbullaku.
Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit të këtij viti. Në harkun kohor të 4 muajve, policia ka kryer disa kontrolle në kërkim të tij në qytete të ndryshme, operacione të cilat janë mbajtur diskrete. Zhdukja pa lënë gjurmë e Martinajt ka ardhur pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani gjatë muajit maj në kuadër të operacioni Plumbi i Artë, kohë kur Martinaj u shpall në kërkim nga SPAK.
Një efektiv policie Jeton Lami, u la në në burg me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe dekonspirimit të operacioneve policore. Teksa po hetonte për zhdukjen e të shumëkërkuarit Ervis Martinajt, policia zbuloi se për t’u arratisur, Martinaj ishte ndihmuar edhe agjent i forcave operacionale në Policinë e Shtetit, Jeton Lami, i cili u prangos më 23 gusht nga policia e Lezhës.
Ervis Martinaj është një prej njerëzve më të njohur të botës së krimit në vend. Ai është konsideruar si një nga njerëzit më të rrezikshëm në Tiranë, i akuzuar për vrasje dhe i dyshuar për disa ngjarje të rënda, që kanë tronditur kryeqytetin./ReportTv.al