Gjyqtari i Gjykatës së Shkodrës, Arbër Çela do të përballet të premten më 2 dhjetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i tij i vetingut po kryhet nga trupa e përbërë nga Genta Tafa Bungo, Lulzim Hamitaj dhe Valbona Sanxhaktari.
Arbër Çela përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2011 dhe punon prej një dekade si gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër. Ai ushtron gjithashtu funksionin e kryetarit në detyrë të gjykatës.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë familjare të deklaruar nga gjyqtari Arbër Çela nga viti 2010 deri në fund të vitit 2018.
Në deklarimin për të herë të parë në vitin 2010, gjyqtari Arbër Çela zotëronte pasuri me vlerë 1 milion lekë, ndërsa në fund të vitit 2018, pasuria familjare kap vlerën e 10.8 milionë lekëve.
Ai zotëron familjarisht pasuri të paluajtshme me vlerë 10.3 milionë lekë, automjet me vlerë 540 mijë lekë si dhe likujditete bankare prej 50 mijë lekësh.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 11.2 milionë lekë, nga të cilat gati 73% kanë si burim pagën e subjektit, rreth 18% pagën e bashkëshortes dhe 8.4% nga dhuratat në cash.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 9 vite të deklarimit, asnjë prej deklaratave nuk rezultoi me probleme.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” dhuratat nga prindërit që shërbyen si burim për blerjen e një apartamenti.
Në vitin 2013, subjekti Arbër Çela deklaron shtesë apartament banimi me vlerë totale 73,528 euro, për të cilin thotë se ka paguar 50% të vlerës sipas pjesës së tij takuese, me burim kryesor financimi 30,000 euro kredi bankare si dhe dhuratë nga prindërit.