Koplik/ Operacioni policor “Poker 5”, arrestohen dy përsona…

Shpërndaje

Koplik, Malësi e Madhe

Finalizohet operacioni policor i koduar “Poker 5”, për goditjen e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit.

Goditet një rast i organizimit të lotarive të palejuara, në ambientet e një lokali të paregjistruar në organet tatimore.

Vihen në pranga 2 shtetas që u kapën në ambientet e lokalit, procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër.

Shpallet në kërkim pronari i lokalit.

Sekuestrohen një tavolinë pokeri, çipsa, letra bixhozi, 5 makineri elektronike dhe një sasi kanabis.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Shkodër, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit, që ushtrohej në një lokal, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Poker 5”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:

S. Z., 22 vjeç, banues në Koplik, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”;

Sh. B., 34 vjeç, banues në Koplik, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim pronari i lokalit, shtetasi L. G., 25 vjeç, banues në fshatin Jubice, Malësi e Madhe, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore”.

Gjithashtu u referuan materialet në prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. H., 45 vjeç, banues në Bogiq, Malësi e Madhe, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në Koplik, në ambientet e lokalit me administrator shtetasin L. G., janë gjetur 1 tavolinë pokeri, 5 makineri elektronike për lojëra fati, një valixhe me çipsa që përdoren për lojëra fati, letra bixhozi dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike canabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Shpërndaje