4 të rinjtë të cilët u arrestuan në kuadër të operacionit policor që çoi në zbulimin e laboratorit të drogës në Fier, do të kryenin një vrasje në zonën e Dibrës. Ky informacion i administruar nga Policia e Shtetit ka detyruar këto të fundit të ndërhyjë menjëherë. Tv Klan raporton se në pranga u vunë Klajdi Kodra, Bledar Matoshi, Kid Koshena dhe Redion Meshi.
Arrestimi i tyre u finalizua në Rrugën e Arbrit, teksa 4 të rinjtë lëviznin me një automjet tip Range Rover në pronësi të Klajdi Kodrës, ku u gjetën dhe sekuestruan 2 kallashnikov, 2 pistoleta dhe municion luftarak. Plani për vrasjen që do kryhej nga 4 të arrestuarit u zbulua nga SPAK dhe Policia e Shtetit në bazë të përgjimeve të kryera prej muajsh në kuadër të operacionit Konsistenca, ku u sekuestruan 430 kg kokainë.
Tre nga të rinjtë, konkretisht Bledar Matoshi, Kid Koshena dhe Klajdi Kodra janë emra të njohur për policinë. Më herët kanë qenë të dënuar për vepra penale si, armëmbajtje pa leje dhe plagosje e rëndë.
“Qarkullonin me automjet, në të cilin mbanin 2 armë zjarri pistoleta, vihen në pranga 4 shtetas, 3 prej tyre me precedentë kriminalë, në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe krimeve kundër personit. Policia gjen edhe 2 armë zjarri kallashnikovë që i posedonte njëri prej personave të arrestuar. Sekuestrohen gjithsej, në kuadër të këtij operacioni, 4 armë zjarri (2 pistoleta dhe 2 kallashnikovë).
Si rezultat i këtij operacioni, u kapën në flagrancë dhe u vunë në pranga shtetasit: Bledi Matoshi, 33 vjeç; Kedi Koshena, 28 vjeç; Klajdi Vrioni (Kodra), 32 vjeç dhe Redion Meshi, 22 vjeç. Shërbimet e Policisë ndaluan në hyrje të fshatit Tujan, në rrugën e Arbërit, automjetin tip ‘Range Rover’, të cilin qarkullonin këta 4 shtetas” – thuhet në njoftimin e policisë.