Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta të profesor Fadil Galiqit organizoi aktivitetin “Një jetë kushtuar dijes, arsimit, brezave”. Për rektoren Suzana Golemi, profesor Fadili do të mbesë i paharruar jo vetëm për çfarë i dhuroi brezave me radhë, por edhe si profesori i saj.
Ish-rektori i universitetit të Shkodrës profesor Gjovalin Kolombi ndau me të pranishmit kujtimet ndër dekada që kishte me profesor Fadilin.
Për të birin doktor Gëzim Galiqi, kjo ditë është mes emocioneve sa të bukura, krenarisë e të qenurit djali i Fadil Galiqit por edhe dhimbjes e mungesës së pazëvendësueshme.
Kujtimi i profesor Fadilit bëri bashkë kolegë të tij, pedagogë, mësues ndër breza si dhe dashamirës të profesorit. Profesor Fadil Galiqi ishte një ndër emblemat e qytetit të Shkodrës, duke kontribuar për vite me radhë në arsimimin e brezave. Për të pranishmit u shfaq dokumentari i cili solli jetën e profesorit në 30 minuta, punën dhe pasionin për të cilin nuk hoqi dorë as kur doli në pension. Profesor Fadil Galiqi do të mbetet gjatë si matematicieni shkodran i cili drejtoi edhe këtë department me shumë durim, duke iu përkushtuar çdo student e pedagogu.