Protesta e shqiptarëve në Londër, Omi: Po na diskriminojnë! Nikolla: Shqiptarët largohen nga keqqeverisja e Ramës…

Shpërndaje

Aktivisti Enkelejd Omi dhe Daniel Nikolla nga ‘Diaspora për Shqipërinë e Lirë’, komentuan në edicionin e pasdites me Armela Ferkon në Syri Tv protestën e paralajmëruar për ditën e nesërme nga shqiptarët në Britaninë e Madhe, të cilën janë revoltuar nga diskrimimet e politikanëve.

Organizatori Enkelejd Omi deklaroi se ka 10 ditë që po mobilizohen ndërsa theksoi se kanë kontaktuar të gjitha shoqatat për diskriminimin kundër shqiptarëve të cilët i kanë cilësuar si kriminelë.

“Ka 25 vite që jetojmë këtu. E padrejtë me na cilësuar të gjithëve në një thes. Nga kontakti që kemi pasur me gazetarët, ata janë habitur. Habiten me shprehjet e ministres së brendshme. Kjo është arsyeja që na ka shtyrë të protestojmë.”-tha Omi.

Ndërsa Daniel Nikolla u shpreh se në vitet e fundit ka pasur largim masiv të shqiptarëve nga vendi i tyre. Sipas tij, deklaratat e politikanëve britanikë janë me një qëllim të caktuar.

“Për njerëzit e thjeshtë do thoja se s’ka një efekt shumë të madh. Mendoj se është përdorur nga politika e cila i ka folur shumë njerëzve që mund ta suportojnë apo votojnë.

Personalisht përveç bisedave me njerëz të ndryshëm, ka shumë britanikë që nuk e dinë që shqiptarëve iu duhet një vizë për të ardhur në Britaninë e Madhe.

Problemi i qeverisë britanike ka qenë dhe vazhdon të jetë me Francën dhe BE që pas Brexit. Franca apo BE i ka lejuar njerëzit të kalojnë me varka.”-tha Nikolla.

Enkelejd Omi u shpreh se janë munduar ta mbajnë larg politikën nga protesta e tyre ndërsa shtoi se shqiptarët largohen nga keqqeverisja e Edi Ramës.

“T’i përmbahemi protestës tonë si qytetarë, të mbrojmë veten, të tregojmë se kush jemi.”-tha Omi.

Gjithashtu edhe Nikolla tha se është mëse e qartë që politika në Shqipëri në 10 vitet e fundit nuk ka punuar në interesin më të mirë të shqiptarëve.

“Shembulli më i thjeshtë është vota e diasporës që e shtymë shumë, dhe deklaratat arrogante dhe joprofesionale, deklarata që nuk i përkasin një drejtuesi të një shteti. Rama thotë se emigrimi ka ndodhur gjithmonë.

S’kemi pse të marrim elementët më të këqija. Shqiptarët largohen se nuk shohin realitet, nuk shohin vërtetësi në ato që bën qeveria dhe kryeministri Edi Rama.”-tha Nikolla.

Shpërndaje