Gjykata e Posaçme ka vendosur të konfiskojë pasuritë e presidentit të “Yldon Media Group”, Ylli Ndroqi.
Mes 24 pronave të konfiskuara është edhe televizioni “Ora News” dhe 30% edhe televizioni tjetër, TV Channel One.
Jashtë ambienteve të GJKKO avokatët e Ndroqit e cilësuan këtë vendim si të padrejtë dhe se asnjë Gjykatë në botë nuk do të merrte një vendim të tillë.
Avokatët kanë treguar se GJKKO është kujdesur që Ora News të ketë 60% të kuotave të sekuestruar, që nënkupton se ka humbur ato kontrollueset.
“Bindem që sistemi ynë ka sëmundje aq të rënda sa nuk besoj se do të jepet ndonjëherë drejtësi. Nuk e di ku i gjeti numrat. Ky është vendim që synon goditjen e medias.
Janë kujdesur që Ora News të ketë 60% të kuotave të sekuestruara që nënkupton humbjen e kuotave kontrolluese. Është vendimi më i pabazë që kam dëgjuar me veshët e mi. Asnjë gjykatë në botë nuk do të merrte një vendim të tillë” tha avokati Jordan Daci.
Më tej avokati i biznesmenit shtoi se gjykata përcaktoi vetë ekspertët dhe se refuzoi provat e dorëzuara.
“Ky është një proces pasurish dhe numrash, gjykata caktoi vetë ekspertët e saj, vetë administroi provat, ky për mua është akt shumë i rëndë. GJKKO shkelmoi me këmbë provat”, shtoi avokati.