Klevis Gjeluci, 20 vjeç nga Shkodra, pësoi një aksident në 24 shtator të këtij viti.
Miqtë e tij ndërmorën iniciativën për të mbledhur fonde nga të gjithë shqiptarët që kishin mundësi, pasi familja nuk e përballon dot koston e operacionit jashtë vendit.
600 mijë Euro u mblodh për 9 ditë falë kontributit të shqiptarëve. I riu u transportua me date 20 tetor në spitalin “Gemelli” të Romës, një nga më të mirët, jo vetëm në Itali por edhe në Evropë e botë.
Sipas familjarëve, mjekët japin sinjale pozitive por pritet që të shihet ecuria e tij në vazhdimësi para se të kryhen ndërhyrje. Për momentin Klevisi ndodhet në reanimacion.
Ky është një nga ato raste qe falë solidarizimit u grumbullua shuma e duhur por si i Klevisit ka shume persona në nevojë dhe disa fatkeqësisht nuk ia dalin.
Halla e 20-vjeçarit, Romina Gjeluci, ishte sot në një lidhje “Skype” nga Italia me emisionin “Shqipëria Live” ku u shpreh shumë optimiste për shëndetin e nipit.
Gjatë intervistës me gazetaren e njohur, Erjona Rusi, halla falënderoi shokët e Klevisit që morën nismën për të bashkuar 600 mijë euro si dhe gjithë shqiptarët që kontribuan.
Romina Gjeluci gjithashtu tregoi se mjekët në Itali u kanë dhënë shumë shpresë dhe po kërkojnë kohë që të shohin se si Klevisi do reagojë në reanimacion.
Intervista e plotë:
Si është gjendja e Klevisit?
Është në reanimacion, por mjekët shprehen optimistë. Na thonë na lini të kryejmë punën tonë. E kanë me qetësi, nuk e kanë me nxitim, pasi duan që të shohin se si reagon Klevisi tani që është në reanimacion.
Mjekët po bëjnë ekzaminimet e nevojshme?
Po, na komunikojnë gjatë gjithë kohës në lidhje me reagimet e tij
Janë munduar të ndihmojnë edhe nga ana psikologjike prindërit e tij. Tani janë më të qetë ata?
Unë jam me ta, e shohim që jemi në vendin e duhur. Jemi në një nga spitalet më të mira në botë dhe tregohen optimistë për gjendjen e tij. Por ata kërkojnë kohë.
Një ditë pas emisionit, që bëmë intervistën bashkë jeni nisur për Itali?
Kam pasur shumë emocione atë ditë pasi po prisnim vendimin kur do niseshim. Jemi nisur në darkë. Kam qenë në autoambulancë me të, ishte rrugë e gjatë dhe kritike. Kemi ardhur në situatë rekord, mbi 20 orë, por ja dolëm mbarë. Ishte shumë rrugë e gjatë për gjendjen e tij, por ia doli. Është i fortë për të gjithë ne që jemi bërë bashkë.
Shuma u mblodh në një kohë rekord. Çfarë mendon se ndikoi te shqiptarët që u mblodh kjo shumë kaq e madhe?
Është shpërndarë shumë nga të gjithë në rrjetet sociale. Djemtë që nisën këtë nismë, ishin shumë të gatshëm dhe të prekur. Shokët e tij të cilët u gjenden shumë pranë nesh dhe prindërit të tij. I falënderoj nga zemra.
Falënderoj të gjithë shqiptarët që kanë kontribuar. Ata i siguruan mjekimin. Uroj që shumë shpejt të ndaj me ju emocionet duke pasur edhe Klevisin pranë.
Çfarë ke ndjerë këto ditë? Çfarë je lutur? Si e ke përjetuar?
Të nisësh drejt një vendi që ishte shpresë e madhe, Klevisi ta përballonte ishte një frikë tepër e lartë. Ishte udhëtim tokësor e mund të ndodhte çdo gjë. Fakti që e përballoi mirë, mjekët na pritën mirë dhe po na japin shpresë.