Nga deputetët, kryebashkiakët e policët/ Kush përjashtohet nga ndryshimet në ligjin për ish-sigurimsat e shtetit…

Shpërndaje

Zbardhen të gjitha ndryshimet e miratuara në Kuvend për ligjin për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike.

Ky ligj i ndalon kandidimin të gjithë të zgjedhurve qëndror dhe lokalë, ku përfshihen deputetë, kryetarë bashkie, këshilltarë bashkiakë etj.. për të cilët është vërtetuar përmes Autoritetit të Dosjeve se kanë qenëë bashkëpunëtor të ish-sigurimit të Shtetit.

Ligji parashikon, jo vetëm ndalimin e kandidimit të këtyre personave por edhe përjashtimin e atyre që i ushtrojnë këto funskione aktualisht.

Ndryshimet në ligj kanë zgjeruar edhe hartën e zyrtarëve dhe punonjësve të zgjedhur ose të emëruar që preken nga penalitetet në rast se rezultojnë ‘me njollë’ në autoritetin e dosjes.

Kështu, në filtrat e këtij ligji kalojnë gjithashtu përfaqësues të sistemit të drejtësisë, gjyqtarë dhe prolurorë, por edhe policë e ushtarakë.

Më poshtë gjeni të plota ndryshimet ligjore:

Ndalimi për kandidim dhe ushtrimin e funksioneve të larta publike për efekt të ligjit nr.45/2015
1. Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët provohen nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, se kanë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të ligjit nr.45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, apo denoncues që figurojnë në dokumentat e ish-sigurimit të shtetit.

2. Personat, për të cilët Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit provon se kanë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të ligjit nr.45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, apo denoncues që figurojnë në dokumentat e ish-sigurimit të shtetit, nuk mund të emërohen apo zgjidhen në funksionet publike si më poshtë:

a) në organe kushtetuese apo të krijuara me ligj;
b) gjyqtarë ose prokurorë;
c) në postin e zëvendësministrit apo të njëvlershëm me të;
ç) në postin e prefektit;

d) funksionarë politikë në kabinetet e drejtuesve të çdo institucioni kushtetues apo të krijuar me ligj:
dh) në Shërbimin Informativ Shtetëror dhe shërbime të tjera informative;
e) në shërbimin civil dhe shërbimin diplomatik si dhe drejtues të çdo niveli në administratën publike të nivelit qendror dhe vendor që nuk përfshihet në shërbimin civil;
ë) në Policinë e Shtetit;

f) ushtarakë të forcave të armatosura, si dhe
g) në çdo post drejtues të kompanive që zotërohen plotësisht apo në maxhorancë ose administrohen nga shteti.

3. Personave që janë duke ushtruar funksione të larta publike nga ato që përcaktohen në pikat 1 dhe 2 të këtij neni dhe provohen nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit se kanë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të ligjit nr.45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, apo denoncues që figurojnë në dokumentat e ish-sigurimit të shtetit, u ndërpritet mandati dhe shkarkohen nga detyra për këtë shkak ligjor dhe sipas procedurës përkatëse të shkarkimit të përcaktuar nga neni 10 ose neni 13 i këtij ligji.

Shpërndaje