Riaktivizohet Lulzim Basha, takim në Krujë me mbështetës të tij nga Shkodra dhe qytete të tjera të Veriut…

Shpërndaje

Lulzim Basha duke se i është rikthyer aktivitetit politik. Ditën e sotme, ai ka qenë i pranishëm në një takim që është organizuar në qytetin e Krujës. Në rrjete sociale qarkullon edhe një foto që “dokumenton” këtë takim.

“Në Krujën e vogël, por me histori të madhe. Bashkë me drejtuesit e demokratëve të veriut të Shqipërisë në një takim miqësor, por dhe të frytshëm. Ashtu siç dinë veç demokratët të flasin, debatojnë dhe të jenë të hapur.

Një takim i vlefshëm me një foto që drita e diellit duket se i ndriçon të ardhmen.”, shkruan në një publikim Anton Kokaj, kryetar i PD- së Malësi e Madhe, ku për herë të dytë ka dështuar përpjekja për të zgjedhur një drejtues të PD- së zyrtare të Berishës.

Në foto dallohen përveç Anton Kokajt edhe Xhevdet Amuli dhe ish- kandidati i zgjedhjeve të 6 marsit për Bashkinë Shkodër, Xhemal Bushati. Basha është pikërisht pranë tyre, në radhën e dytë të personave në foto.

Shkodra por edhe Veriu i Shqipërisë, është konsideruar bastion i Partisë Demokratike, e cila edhe sot vijon me struktura paralele: Ato zyrtare që nisin nga selia e PDSH- së në Tiranë dhe të tjerat që njihen nga Kuvendi dhe KQZ dhe që kulmojnë me kryetarin e komanduar Enkelejd Alibeaj.

Në prag të zgjedhjeve vendore të vitit tjetër, kjo foto është edhe tregues se bashkimi brenda PD- së nuk është aq i lehtë. Ndoshta edhe në këto zgjedhje që vijnë, do të ketë dy kandidatë demokratë për kryebashkiakë dhe qindra të tjerë për këshilltarë në 61 bashkitë e vendit.

Shpërndaje