Shkodra dhe Gjakova firmosin marrëveshjen e binjakëzimit mes tyre…

Shpërndaje

E shtuna ishte një ditë e veçantë për dy qytetet shqiptare, atë të Shkodrës dhe Gjakovës. Dy njësitë vendore firmosën në qytetin e Shkodrës marrëveshjen e binjakëzimi me synim: Nxitjen e bashkëpunimit dypalëshe në fushën social ekonomike, arsimit, turizmit, trashëgimisë kulturore dhe sportit. Delegacioni nga Kosova u prit fillimisht në zyrën e kryetarit të bashkisë Shkodër, z. Bardh Spahia dhe më pas palët firmosën marrëveshjen në fjalë, në sallën e këshillit bashkiak. Në fjalën e tij, kryebashkiaku i Shkodrës, z. Spahia theksoi:

I  nderuar zoti Ardian Gjini kryetar i komunës së Gjakovës,

E nderuara znj. Arbnesha Kuqi, kryetare këshillit Komunës së Gjakovës

E nderuara znj. Brisela Kadia, kryetare Këshillit te Bashkisë Shkodër

Miq që na nderoni nga Gjakova dhe të gjithë ju të pranishëm

Me lejoni që në krye të herës të theksoj faktin se përveç emocionit që ndjej sot në këtë ditë, paralelisht mbushem me krenari kur mendoj se si aq bukur i kemi ruajtur lidhjet e hershme, dhe traditat e bukura që ndër breza i ka përcjell si populli i Shkodrës ashtu edhe ai i Gjakovës.

Dita e sotme është e veçantë jo vetëm për bashkinë Shkodër dhe komunën e Gjakovës si dy institucione, por është e tillë për të gjithë qytetarët që jetojnë në këto dy njësi, pjesë e Shqipërisë dhe Kosovës si shtete të ndara vetëm nga rrethanat historike e politike administrativisht, por përherë të bashkuara me mendje e zemër.

Ky binjakëzim që i japim jetë sot në fushat social ekonomike, arsimit, turizmit, trashëgimisë kulturore dhe sportit vjen krejt natyrshëm duke ditur historinë e dy vendeve tona, që aq shumë i kanë dhënë në këto drejtime kombit shqiptar. Ne kemi nevojë sot më shumë se kurrë të forcojmë edhe më tej lidhjet tona, të punojmë me projekte të përbashkëta që i rrisin ekonomikisht këto dy rajone dhe paralelisht zbusin plagët që shqetësojnë shoqërinë tonë, siç është ajo më kryesorja dhe sfida më e madhe, emigracioni.

Në Shkodër dhe Gjakovë ka aq shumë hapësira për të punuar dhe ndërtuar modele për tu marrë shembull në krejt rajonin e më gjërë, sepse rrënjët i kemi të forta si në arsim, kulturë, sport, trashigimi, turizëm, ekonomi etj. Na lind ne detyra si vendimarrës të jemi në lartësinë e duhur për të qënë largpamës, duke dhënë strategji zhvillimore e zbatuar projekte që shtrihen në vite, e që kanë impakt afatgjatë për bashkitë që drejtojmë.

Prandaj kjo marrëveshje binjakëzimi synon të mos mbetet në kuadrin e një pune që nis sot për të përfunduar pas disa vitesh, por për të qënë e qëndrueshme për shumë gjatë dhe me ndikim të drejtëpërdrejtë në vendet tona, tek komunitetet që përfaqësojmë.  

Jam i vetëdijshëm se nuk do të jetë e lehtë, e shpesh mund të hasim burokraci që nuk varen prej nesh, për t’i zbatuar këto pika, por kjo nuk duhet të na ndalë, por përkundrazi të na shtojë vullnetin për të bërë më shumë. Koha ka qënë dëshmitarja dhe mësuesja më e mirë për ne, se cfarë ka ndodhur në vitet kur rrethanat nuk na lejuan të ishim bashkë, e disa lidhje u shkëputën. Sot është koha të veprojmë me shpejtësi për të fituar cdo kohë të humbur.

Këto marrëveshje që firmosim sot në kuadër të binjakëzimit mes dy bashkive tona, janë një mundësi e mirë për të qënë më të përgatitur edhe për sfidat e reja që do të kemi përpara, kjo në kuadër të rrugës së nisur të integrimit europian për të dy vendet tona. Përvojat reciproke do të na shërbejnë akoma më shumë kur në këtë rrugë, dikush avancon më shpejt se tjetri dhe mund të shtyjë pozitivisht çuarjen përpara të këtyre pikave të bashkëpunimit.

Pa dashur të zgjatem më shumë, më lejoni ta ritheksoj së Shkodra është shtëpia e çdo njërit prej jush, jo vetëm popullit të dashur të Gjakovës por krejt Kosovës. E kur i drejtohesh shtëpisë, nuk ke nevojë për të trokitur, sepse dyert e saj janë përherë të hapura e njerëzit që jetojnë në të, të presin me zemër. Kështu edhe ju jeni të mirpritur përherë në Shkodër, siç kam bindjen se edhe ne jemi në shtëpinë tonë në Gjakovë, pasi e tillë ka qënë në cdo kohë. Rrugëtim të mbarë në këtë rrugë që nisim sot dhe kam bindjen se frytet e saj do të nisin të shihen shpejt.

Ndërkohë edhe kryetari i komunës Gjakovë z. Gjini vlerësoi këtë ditë si një ndër më të veçantat për të dy njësitë, që në trojet shqiptare kanë një histori të veçantë.

Shpërndaje