Kryeministri Edi Rama, ka komentuar sërish largimin e emigrantëve të cilët japin para për te shkuar në Britani.
Në konferencën e bilancit të sezonit turistik veror, numri një i qeverisë edhe pse u kritikua për deklaratën e tij pak ditë më parë, theksoi sërish se kuksjanët me 30 mijë paundët që japin për të shkuar në Angli, mund të bëjnë ekonominë e tyre në Kukës.
“Investimet që po bëhen janë të një propocioni që e mundëson rritjen e qarkullimit në turizëm. Aeroporti i Vlorës po ecën me ritme shumë të mira dhe është i garantuar me Aeroportin e Mynyhit që do të jetë operator i Aeroportit të Vlorës.
Aeroporti i Sarandës do të jetë në kantier. Aeroporti i Kukësit ka hapur perspektivë të re dhe ne po shtyjmë për investime të rëndësishme në zonën e Kukësit përsa i përket turizmi. Është kollaj të qeshësh e të helmosh, por unë e përsëris të gjithë ata që paguajnë nga 30 mijë paund për të marrë ato rrugët e frikshme të emigracionit klandestin duke i ja lënë kursimet në dorë trafikantëve, në kërkim të një parajse që nuk kanë për të gjetur në Angli. Me ato 30 mijë paund mund të bëjnë ekonominë e tyre në Kukës. Këtë e them bazuar në realitetin e agroturizmave që janë ndërtuar. Ne do mbështesim të gjithë ata të rinj që duan të bëjnë një agroturizëm. Nga agroturizmi do fitonin më shumë se puna në të bardhë apo të zezë që do të bëjnë në Angli”– tha Rama.