Dështon mbledhja e këshillit bashkiak Shkodër, nuk plotësohet kourumi…

Shpërndaje

Ende pa nisur, mbledhja e këshillit bashkiak e thirrur për këtë të premte në orën 17:00 ka dështuar për shkak se nuk u plotësua numri i duhur i këshilltarëve në sallën e këshillit, për të formuar kourumin prej të paktën 26 anëtarësh që duhen për të zhvilluar mbledhjen.

Në sallë nuk u bënë më shumë se 19 anëtarë të këshillit bashkiak nga 26 që duhen minimalisht. Në total këshilli bashkiak ka 51 anëtarë të cilët pothuajse janë të gjithë të majtë, por pavarësisht bindjes politike nuk arrijnë të bëjnë kourumin e duhur për të zhvilluar mbledhjen e parë pas 2 muajsh pushime.

Në mbledhjen e kësaj dite ishte përfshirë edhe miratimi i fondit 6% të ndihmës ekonomike, të cilin e presin shumë familje shkodrane të cilat jetojnë në kushte të vështira ekonomike.
Por fondi 6% nuk është problem për anëtarët e këshillit të cilët kanë një mirëqenie ekonomike mbi mesataren.

Miratimi i buxhetit të vitit 2022 dhe programit buxhetor afatmesëm përfundimtar 2022-2024 sërish nuk përbën rëndësi për anëtarët e këshillit bashkiak Shkodër.

Miratimi i programit buxhetor afatmesëm për Emergjencat Civile para stinës së reshjeve sërish nuk është arsye e mjaftueshme që anëtarët e këshillit bashkiak të marrin pjesë në mbledhje. As miratimi i programit buxhetor afatmesëm për arsimin nuk është arsye që shumë prej tyre të anullojnë planet e fundjavës dhe të kryejnë detyrën me përgjegjshmëri.

Kjo nuk është hera e parë që anëtarë të këshillit bashkiak nuk paraqiten në mbledhjet e këshillit bashkiak, një sjellje aspak e hijshme për vetë rëndësinë që kanë mbledhje të tilla për qytetarët shkodranë.

Jashtë çdo pritshmërie, pas 2 muajve pushim, anëtarët zgjedhin të injorojnë çështje të rëndësishme për qytetin, për interesat e qytetarëve.

Do të ishte më e udhës që këta anëtarë me nota të larta papërgjegjshmërie, të japin dorëheqjen e të zëvëndësohen me persona të tjerë që kanë motivim për t’i shërbyer qytetarëve të bashkisë Shkodër.

Do të ishte më e udhës që këta individë të papërgjegjshëm të largoheshin, sesa të linin në pritje me dhjetëra familje që presin shpërndarjen e ndihmës ekonomike apo të tjerë që presin miratimin e projekvendimeve të tjera në funksion të infrastrukturës në rrugë apo në shkolla.

Mbetet për tu parë nëse këta anëtarë, pas mbledhjes së turpit, do të marrin pjesë në mbledhjen e ardhshme të këshillit bashkiak që do të mbahet të martën, datë 27 shtator, në orën 17:00./RealitetiPost/

Shpërndaje