Kuvendi ka miratuar dy marrëveshjet për bashkëpunim në fushën e sigurisë me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe shkëmbimin e informacionit lidhur me emigracionin me Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa ka rrëzuar kandidaturën e Florian Bjankut si anëtar i KLP-së.
Me 101 vota pro, 0 kundër, 0 abstenim, është votuar projektligji ‘për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet këshillit të ministrave të republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe luftës kundër terrorizmit, ndërsa miratoi me 99 vota pro marrëveshjen me Mbretërinë e Bashkuar për shkëmbimin e informacionit për qëllime të lidhura me migracionin.
Kuvendi votoi me 29 vota pro, 69 abstenim dhe 4 kundër për kandidaturën e Florian Bjankut për anëtar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Çështja kthehet në komision për një tjetër kandidaturë për anëtar të KLP.
Kuvendi ka votuar me 101 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim, projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes financiare në kuadër të partneritetit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave dhe Komisionit Evropian, për rregullat specifike të zbatimit të asistencës financiare të BE-së, për Shqipërinë në kuadër të instrumentit për asistencën e para anëtarësimit (IPA iii).