Ministri i brendshëm Bledi Çuçi njoftoi emrin e Drejtorit të ri të Policisë së Shtetit.
Pas shkarkimit të Gledis Nanos, Muhamet Rrumbullaku do të jetë në krye të Policisë së Shtetin në Shqipëri.
“Rrumbullaku mban gradën e drejtuesit të parë në piramidën e policisë së shtetit dhe plotëson të gjitha kushtet për të qenë drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit”, tha Çuçi.
Muhamet Rrumbullaku ka një eksperiencë të gjatë në Policinë e Shtetit, ku për shumë vite ka qenë Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë për Rendin dhe Sigurinë Publike 2009-2013, ndërsa më parë ka qenë Drejtor i Policisë së Tiranës dhe në disa qarqe të tjera.
Gjatë qeverisë teknike të vitit 2017 , Rrumbullaku u emërua për disa muaj, këshilltar i Ministrit të Brendshëm Dritan Demiraj.
Nga viti 2019 deri më 2022 ka mbajtur postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme.
Prej 24 marsit të këtij viti, ai mbante postin e Drejtorit të Mbikëqyrjes Policore, të cilin e dorëzoi disa ditë më parë dhe aktualisht mbahet nga Ardi Veliu.
Aktualisht Rrumbullaku është jashtë organizatës të Policisë, por mban gradën drejtuesi i parë.
Ai është diplomuar “Specialist i Lartë Policie” në vitin 1988 pranë Akademisë së Policisë, në Fakuletin e Drejtësisë Tiranë dhe ka marrë titullin Jurist në vitin 2010. Rrumullaku ka ndjekur disa trajnime, çertifikuar në Shqipëri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Hungari. Gjithashtu, ka mbajtur një sërë postesh në qarqet Tiranë, Durrës dhe Dibër.