Zv.kryeministrja Belinda Balluku ka bërë me dije një vendim të qeverisë për ndërtimet pa leje. Balluku u shpreh se do të konfiskohen nga shteti dhe do të shkojnë për përdorim publik.
“VKM e titulluar për rregullat për konfiskimin për interes publik për ndërtimet pa leje me qëllim fitimi. Për të qenë më specifike për aktin që do të ketë dhe komunikime të tjera publike, ka t bëjë me të gjitha ndërtesat pa leje ose siç ka trend për ndërtimin e shtesave mbi lejet që janë dhënë nga Bashkitë. Kjo kohë ka mbaruar. Ky lloj trendi shumë i zhvilluar ka një lloj sjellje që pavarësisht se leja mund të jetë 7 kate, i bëjmë dhe 3 sipër për t’i legalizuar më pas.
Të gjitha ndërtesat që kanë këtë lloj specifike do të konfiskohen për përdorim publik. Do t’i jepen atyre qytetarëve që preken nga projektet publike ose do të përdoren si fonde për të shpronësuar të gjithë qytetarët të cilët sërish preken nga projektet publike. I gjithë ky proces është i gjatë por ka qëllim dekurajimin e kompanive ndërtuese që shkelin ligjin dhe duke qenë nën mbikëqyrjen e institucioneve tona. Për çdo ndërtesë, e cila tashmë rezulton se ka shkelur lejen apo për cdo ndërtesë pa leje, do të ketë investigim për ato institucionet që kanë si detyrë kontrollin e territorit dhe kjo gjë ka ndodhur nën hundën e tyre pasi ne identifikojmë se ka edhe një tolerancë nga vetë institucionet për t’i lënë kompanitë në abuzim.
Ndërsa një qytetar që rregullon catinë apo ndryshon pllakat e oborrit, vihet menjëherë nën mbikëqyrjen e policisë apo IKMT. Nuk do të ketë tolerancë për asnjë prej ndërtuesve dhe gjithçka e ndërtuar pa leje do të shkojë për përfitim të popullit, për familje në nevojë, për zyrat e shtetit. Mundësia e parë e ndërtuesit është parapagesa e metrave katror që t’i parablejë, përveç gjobës që do të paguajë, në rastin e dytë i dhuron dhe në rastin e tretë është konfiskimi”, tha Balluku.