Debati për reformën territoriale/ Eksperti ngre ‘alarmin’: Kryetarët e bashkive janë nën presion nga politika për të hapur vende pune…
Komisioni i Posaçëm Parlamentar “Për Reformën Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë”, diskutoi sot në një seancë dëgjimore me Fatlum Nurja, ekspertin e projektit Bashki të Forta lidhur me problematikat që kanë sot qeverisjet vendore.
Eksperti Nurja tha se këto dy mandate të qeverisë socialiste nuk janë të duhurit për të analizuar reformën territoriale.
“Monitorimi ka munguar, në mungesën e standardeve dhe shërbimeve. Ka bashki që mbledh tarifa pastrimi 170% të kostos, ekstrem tjetër. Kam shumë informacione që njësitë rurale e të thella nuk kanë kapacitet të përballojnë shërbimet në përgjithësi jo më ato elektronike. Nuk më duket e lumtur situata te ato bashki të vogla në krahasim me bashkitë e mëdha.
Nëse them se reforma ka probleme nuk më duket e arsyeshme që qarku Gjirokastër me 68 mijë banorë të ketë 7 bashki.
Ama këto që janë pak e janë të lumtur se si ka kapur reforma nuk më duket se i kanë shërbimet më të mira, nuk më duket se i zgjedhuri po i qan hallet atyre”.
Eksperti nënvizoi se kryetarët e bashkive janë nën presion nga politika për hapjen e vendeve të punës.
“Kryetarët e bashkive nuk janë demonët e mëdhenj, nuk janë magjistarë, pa financa janë në presion të politikës për hapje vende pune. Ndërmarrjet e ujësjellësit nga 4 punonjës për 1 mijë lidhje shkojnë 6 punonjës për 1 mijë lidhje, normalisht do të falimentojnë. Problemet nuk derivojnë vetëm nga reforma, reforma duhet riparë, jam dakord.
Çfarë duhet të bëjmë. Lidershipi politik ta ketë të qartë që detyrat që i vijnë bashkive, shërbimet janë në funksion të zhvillimit ekonomik lokal, detyra kërkon bashki nëse konfigurohen qe duhet të jenë njësi të zhvillimit ekonomik duhet të keni pikëpamje tjetër, bashki të kishte turizëm 12 muaj jo vetëm 3 muaj.
E pranojmë që motori ekonomik në Shqipëri me këtë nivel kapacitetesh është turizmi, po spostohen qytetarë drejt ultësirës perëndimore, duhet të krijojmë njësi atje ku po boshatisen, kërkon një analizë shumë gjakftohtë e pa datë.
Financat janë problemi kryesor, shërbimi me këtë nivel financiar se kryetarët e bashkive s’janë magjistarë, me këto financa është vendi më i vështirë, është pozicioni i punës sot për sot më i vështirë të jesh kryetar bashkie, përveç ndonjë agjende tjetër”,-deklaroi Fatlum Nurja.