Sesioni i ri, Enkelejd Alibeaj rikonfirmohet kryetar grupi! Açka: Bashën e kemi koleg…

Shpërndaje

Enkelejd Alibeaj është rikonfirmuar si kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike para nisjes së sesionit të ri parlamentar. Ka qenë deputeti Lefter Gështenja ai i cili ftoi deputetët e grupit të PD-së që nuk kanë mbështetur Berishën që të diskutojnë në një darkë informale për aksionin e Grupit Parlamentar të PD-së.

Surpriza në këtë takim ishte pjesëmarrja e disa deputetëve që deri më sot nuk kishin marrë pjesë në mbledhje si Flutura Açka, Agron Gjekmarkaj apo Helidon Bushati.

Ndërkohë, pika e parë e diskutimit ishte rikonfirmimi i Enkelejd Alibeajt si kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Mësohet se ka qenë deputeti Gazment Bardhi që i ka kërkuar kolegëve që të shprehen për konfirmimin e Enkelejd Alibeajt në krye të grupit dhe se atij duhet dhënë i gjithë autoriteti për përfaqësimim e grupit parlamentar. 28 deputetë ishin të unifikuar në rikonfirmimim e Enkelejd Alibeajt si kryetar grupi dhe kërkuan që ai të ketë një rol më aktiv dhe më vendimmarrës në lidhje me punën e grupit. ?Është diskutuar edhe nevoja e ngritjes së një minikryesie përfaqësuese për organizimin e punës dhe axhendës parlamentare të deputetëve. Fokusi i takimit të djeshëm ka qenë për organizimin e grupit vetëm sa i përket jetës parlamentare dhe se pritet të ketë një mbledhje të dytë në lidhje me organizimin në terren?, njoftohet nga grupi i deputetëve.

Në sesionin e ri pritet të ketë edhe ndryshime sa i përket përbërjes së deputetëve në komisione.

Edhe në takimin e djeshëm nuk ka mbetur jashtë vëmendjes ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Ka qenë deputetja Flutura Açka dhe Ferdinat Xhaferaj, të cilët janë shprehur se Lulzim Basha është i mirëpritur në grupin e tyre për të dhënë kontributin.

“Bashën e kemi koleg. Ai ka një kontribut dhe si koleg, si deputet mund të ketë një kontribut në grupin tonë si deputet. Nuk duhet të kemi asnjë shqetësim nga prezenca e z. Basha. Eksperienca e tij është e nevojshme për grupin parlamentar”, mësohet të ketë thënë Flutura Açka.

“Unë kam kërkuar që të japë dorëheqjen, por ai është i domosdoshëm për opozitën dhe këtë grup. Duhet ftuar të marrë pjesë në grup mbledhje për të kontribuar. Ne duhet të fillojmë me një sjellje tjetër me një qëndrim serioz në strategjinë. Mund të delegojmë një kryesi të vogël”, është shprehur Xhaferraj.

Shpërndaje