FOTO/ Policia publikon emrat e tre të shumë kërkuarëve

Shpërndaje

Policia ka publikuar sot skedat e tre personave të shumë kërkuar. Ndaj tyre rëndojnë akuza të rënda, mbi të cilat gjykata ka dhënë vendime me burgim të përjetshëm.

Lista kryesohet nga Bajram Boci nga Lazarati, i cili akuzohet se ka qenë pjestar i grupit që vrau me armë zjarri Ibrahim Bashën, pjestar i Forcave Speciale RENEA.

Alban Baftjari gjithashtu është i dënuar përjetë për shkak të një krimi të kobshëm të kryer në 7 mars të vitit 2001 duke lënë një të vrarë në Shijak teksa kishte hyrë në një shtëpi për të grabitur.

Policia ka shpallur si të shumë kërkuar edhe Jashar Beganin gjithashtu për një vrasje të kryer në vitin 1997 në zonën pranë stadiumit Dinamo.

Njoftimi i plotë

I dënuari me burg përjetë Barjam Boci

Në datën 24 qershor 2015, në fshatin Lazarat, Gjirokastër, gjatë një operacioni policor është vrarë me armë zjarri punonjësi i Policisë së Shtetit I. B., si dhe janë plagosur punonjësit J. I. dhe P. H.

Shtetasi Barjam Boci ka qenë pjesë e grupit që ka qëlluar në drejtim të Policisë.

Barjam Boci është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda Tiranë, për veprat penale “Vrasja me dashje në rrethana cilësuese” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

I dënuari me burg përjetë Alban Baftjari. Në datën 7 mars 2001, në fshatin Shetel, Shijak, Durrës, shtetasi Alban Baftjari, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka shkuar në orët e vona të mbrëmjes, në banesën e shtetasit Xh. B., për të vjedhur dhe ka plagosur rëndë shtetaset Sh. B., S. B. dhe shtetasin Xh. B., i cili për pasojë ka gjetur vdekjen. Alban Baftjari është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Vjedhja me pasojë vdekjen, në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

I dënuari me burg përjetë Jashar Begani (Begami).
Në datën 21 korrik 1997, në zonën e stadiumit “Qemal Stafa” në Tiranë, shtetasi Jashar Begani (Begami) ka vrarë shtetaset A. L. (B.) dhe Z. K. Jashar Begani (Begami) është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Shpërndaje