Shtrenjtohet 20% buka masive në dyqanet e shitjes së produkteve ushqimore në rrethe.
Çmimi i bukës masive të bardhë dhe të zezë arrin 120 lekë nga 100 lekë që u shit më parë. Për këtë vit kjo është rritja e tretë e çmimit të bukës, ku nga muaji shtator buka masive nga 70 lekë u rrit në 80 lekë. Në mesin e muajit mars çmimi i bukës shënoi sërish rritje duke arritur në 100 lekë.
Kryetari i shoqatës të Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave Gëzim Peshkopia tha për Monitor se aktualisht në kryeqytet si çmimi i tregtimit të miellit edhe i bukës është në stanjacion. Sipas tij rritja në rrethe po reflekton koston e shtuar të transportit të miellit për shkak të çmimit të lartë të karburantit. Z. Peshkopia thekson se tendenca është për rritje të çmimit në të gjithë vendin, për shkak të shtrenjtimit të miellit dhe karburantit.
“Aktualisht çmimi i shitjes të miellit dhe bukës është në stanjacion. Furrat e bukës po furnizohen nga fabrikat e miellit me çmim 77-80 lekë për kg. Rritja e çmimit të bukës në rrethe reflekton shtrenjtimin e kostos të transportit të miellit nga rritja e karburanteve. Për transportin e miellit nga fabrikat në magazinat e rretheve është 25 deri 35 lekë/kg për shkak të shtrenjtimit të naftës. Nga magazinat mielli shpërndahet në fabrikat e furrës të bukës ku është tjetër kosto. Shumë furra buke në rrethe tregtojnë vetëm këtë produkt dhe e kanë të pamundur të përballojnë rritjen e kostove”, veçon ai.
Për shitjen e produkteve të shportës, duke përfshirë miellin dhe bukën qeveria ngriti bordin e kontrollit të çmimeve. Kryetari i Shoqatës të Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave pohon se me funksionimin e këtij mekanizmi shteti ka në dorë vetëm kontrollin e abuzimit të çmimeve, ndërsa e ka të pamundur të frenojë rritjen e çmimit të grurit e ndikuar nga ndalimi i importit në Rusi dhe Ukrainë.
“Në këtë periudhë kur çmimi i miellit dhe lëndëve të tjera ka tendencë rritëse edhe çmimi i bukës do të vijojë të rritet. Rritja e çmimit është e pashmangshme për të gjitha furrat e bukës. Nuk është çudi që çmimi i bukës të arrijë 140 lekë apo deri 150 lekë”, nënvizon z. Peshkopia./Monitor/