RAI3 vazhdon udhëtimin e tij në Shqipëri. Në edicionin qëndror të lajmeve të orës 19.00 ka transmetuar një tjetër kronikë të përgatitur nga gazetari Valerio Kataldi, i cili rrëfen historinë e aktpronësisë së një toke në bregdetin e Vlorës ku përfshihet dhe një shtetas italian, ish-gjeneral i Guardia di Finanza.
“Ky dokument është një akt pronësie e dhuruar prej 30 mijë hektarë në një nga vendet më të bukura të bregdetit të Vlorës, një vend shumë i mrekullueshëm me turizëm gjithnjë e në rritje. Ai që përfiton nga kjo dhuratë është një fondacion i lindur për të mbështetur shkëmbimet kulturore mes Shqipërisë e Italisë me emrin vëllezërve Luca .M Eftimiadhi e Marco M. Eftimiadhi që janë larguar nga Shqipëria e sot janë shtetas italianë”.
President i këtij Fondacioni është Gjenerali i Guardia Di Finanza që pak kohë më parë ka dalë në pension. Gjëja e çuditshme është se dhuruesi është Artur Shehu, një narkotrafikant i njohur i lidhur me mafian Sacra Corona Unita, i kërkuar për vrasje në Shqipëri dhe që aktualisht ndodhet në Florida.
Kioskën abuzive në plazhin e Vlorës e kujton mjaft mirë Artur Shehu dhe Pëllumb Petritaj i cili ka firmosur për Shehun aktpronësinë e dhuratës për plazhin e Vlorës e i arrestuar pas disa investigimesh mediatike për mashtrim me tokat pikërisht në këtë territor në vitet 2018.
Emrin e Artur Shehut në Prokurorinë e Leces e kujtojnë mjaft mirë.
“Artur Shehu është një person i hetuar nga Prokuroria e Lecces në vitin 2012 e i lidhur me italianin Prodentino Albino, një narkotrafik i njohur me të cilin kishte krijuar marrëdhënie për të riinvestuar parà dhe të Sacra Corona Unita në territorin shqiptar”, thotë prokurori i antimafias së Lecces.
Gazetari italian është vënë në kontakt telefonik dhe me Gjeneralin në pension të Guadia di Finanza që dikur ka qënë dhe Drejtor i Interpol e sot është president i Fondacionit që ka marrë si dhuratë nga narkotrafikanti Artur Shehu 30 mijë hektarë tokë në bregdetin e Vlorës.
“Si është e mundur që në dokumentin e aktdhurimit janë dy emra mjaft të njohur të botës së krimit, pyet gazetari. Po për Gjeneralin italian Lisi në atë kohë kur është bërë aktpronësia ata nuk figuronin të tillë. Noteri ka verifikuar aktin e asgjë nuk është bërë në mënyrë të paligjshme në atë terren, thotë ai. E nëse ka gjëra jo të qarta ne jemi pala e dëmtuar.”
Sipas gazetarit italian familja e Artur Shehut figuron të jetë pronar i gjithë gjirit të Vlorës.
“Aktepronësie të falsifikuara që po shfaqen në disa gjykata, një histori kjo që meriton qartësi”, mbyllet materilai i TG3.