Emrat e rrugëve të Tiranës u mbuluan me emra të grave të vrara nga burrat e familjeve të tyre.
Mbrëmjen e djeshme aktivistët e Kolektivit Feminist në Tiranë ndërmorën një aksion për gratë e vrara nga “dhuna patriarkale në Shqipëri”.
20 emrave të rrugëve të kryeqytetit iu ngjitën përsipër emrat e 20 viktimave që u vranë përgjatë vitit 2021.
“Në një shoqëri ku dhuna strukturore dhe patriarkale i shndërron gratë në viktima dhe burrat në kriminelë e ku krimi justifikohet e për të cilin vazhdimisht fajësohet viktima, reagimi masiv për një transformim rrënjësor është domosdoshmëri”, ka thënë Kolektivi Feminist.
Ato thanë se vrasja e grave dhe dhuna me bazë gjininë, nuk janë çështje private por shoqërore dhe politike.
“Adresimi i tyre meriton vëmendje gjithëpërfshirëse dhe akte konkrete institucionale që garantojnë drejtësi për viktimat; mbrojtje, siguri e mirëqenie për të mbijetuarat dhe politika sociale që parandalojnë dhunën dhe hapin rrugën për barazi e drejtësi shoqërore”, thuhet në njoftim.