Kryetari i Partisë Social Demokrate, Deputeti Tom Doshi parashikon pesë mandate të sigurta për partinë e tij.
Dy prej këtyre mandateve, sipas tij, PSD i fiton në Shkodër, kurse tre në Tiranë.
Gjatë një takimi elektoral në Korçë, ai zbuloi edhe se demokrati Ervin Salianji është përfshirë në një sherr të shtunën.
“Të gjitha partitë bashkë, sepse në fund bëhen bashkë të treja, në darkë mblidhen bashkë dhe kanë ndarë zonat këtu se për kë duhet votuar. Sot ka filluar një luftë e madhe midis partive se kush duhet të dalë të marrë vota me shume. Pra do marrë Niko, Olta apo kush janë këtu. Apo Arjan Jaupllari që para disa kohësh ka dashur të kandidojë për PSD ndërsa tani thotë se ai do marrë vota më shumë sesa kandidatët e tjerë të PS.
Tek PD mora vesh mbrëmë që janë rrahur me njeri tjetrin, Salianji me një tjetër kështu që kjo është e vërteta që po ndodh në Korçë. Kurse tek partia jonë të gjithë ekipi punon për Julianin, dhe ky është ndryshim i madh. Ne kemi për ti bashkuar korçarët e jo ti përçajmë. Dhe në këtë rast ne jemi veto, nuk bashkëpunojmë me asnjë forcë politike deri pas 27 prillit që të numërohen votat. Ne të sigurta sot kemi 2 mandate në Shkodër, 3 në Tiranë por pritshmëria është shumë e madhe në Tiranë sepse pritshmëria është tek elektorati gri, që dhe me sondazhe dalim 30%, që nuk janë të bindur se për cilën forcë politike do të votojnë.”