Operacionet për kapjen e Kajmakut, ish-kryebashkiaku i Vorës vijon të sfidojë policinë

Shpërndaje

Operacioni për kapjen e ish-kryebashkiakut socialist të Vorës, Agim Kajmaku, u fokusua në Fushë-Prezë. Nisi në banesën e Kajmakut për të vazhduar më pas në bizneset e tij në zonën e Vorës.

Edhe një herë, asnjë gjurmë nga Agim Kajmaku, ish-kryebashkiaku të cilit socialistët i besuan bashkinë e vogël në mes Tiranës dhe Durrësit, një zgjedhje që ka degraduar tashmë në aksione policie të dështuara periodikisht. Sipas sistemit Tims, rezulton se 49-vjeçari nuk ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë nga data 11 nëntor, ku edhe u zyrtarizua shpallja në kërkim.

Agim Kajmaku konsiderohet nga policia si një ndër njerëzit më të kërkuar për momentin, për të cilin kanë dështuar dhjetra operacione. Në anën tjetër, ish-kryebashkiaku vazhdon të komunikojë me avokatin e tij nën hundën e policisë.

Ndërsa ishte në arrati, Kajmaku pajisi me prokurë avokatin për të bërë apelimin e vendimit “arrest me burg” të dhënë nga shkalla e parë. Agim Kajmaku nuk kishte raportuar në formularët e dekriminalizimit se ishte arrestuar në Greqi dhe ndaj tij kishte nisur një proces gjyqësor.

Nga ana tjetër, prokuroria e vuri nën hetim edhe për ushtrim të funksioneve pas dhënies fund të detyrës, duke qenë se shkarkoi dy nënkryetarë të bashkisë pikërisht ditën kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ndërpreu mandatin.

Shpërndaje