Bankat shtrëngojnë kushtet e kredisë, si për bizneset ashtu dhe individët, bie ndjeshëm kërkesa për hua…

Shpërndaje

Marrja e një kredi në banka është bërë më e vështirë pas pandemisë, si për bizneset ashtu dhe për individët. Nga ana tjetër edhe kërkesa për hua ka rënë ndjeshëm.

Banka e Shqipërisë në vrojtimin e aktivitetit kreditues për tremujorin e dytë konstatoi se “Bazuar në vlerësimin e bankave tregtare, standardet e kreditimit u shtrënguan në tremujorin e dytë të vitit 2020. Në reflektim të situatës dhe pasigurisë së lartë prej pandemisë, bankat aplikuan standarde më  të  shtrënguara  si në  kreditë  akorduar  bizneseve,  ashtu  edhe  në  kreditë  e  dhëna  individëve, në  të gjitha  nënkategoritë  përbërëse.  Në  të  njëjtën  linjë  me  standardet,  bankat  shtrënguan  edhe  termat  e kushtet e kreditimit në kreditë e reja për bizneset dhe individët”.

Sipas vrojtimit, Kërkesa për kredi u perceptua në rënie të theksuar si nga ana e bizneseve, ashtu edhe nga individët. Në  tremujorin  e  tretë  të  vitit  bankat  presin  të  shtrëngojnë  standardet  e  kreditimit  për  bizneset, veçanërisht në kreditë dhënë për financimin e investimeve.

Në të kundërt, bankat shprehen për lehtësim të pritur të standardeve të kreditimit për individët në tremujorin e tretë. Kërkesa për kredi në tremujorin e tretë të vitit 2020, sipas gjykimit të bankave, pritet të jetë më e lartë si nga ana e bizneseve, ashtu edhe nga ana e individëve. Kërkesa për kredi nga ana e bizneseve pritet të nxitet nga kreditë për financimin e inventarëve dhe kapitalit qarkullues, ndërkohë që ajo nga ana e individëve prej kredisë konsumatore.

Standardet e kreditimit për bizneset u shtrënguan

Standardet e kreditimit për bizneset u shtrënguan edhe në tremujorin e dytë të vitit 2020. Standarde të shtrënguara kreditimi u raportuan si në segmentin e biznesit të vogël e të mesëm, ashtu edhe në atë të  biznesit  të  madh.  Po  ashtu, standardet  e  kreditimit  u  raportuan  më  të  shtrënguara edhe në  kreditë dhënë për mbulimin e nevojave për likuiditete, apo për financimin e investimeve.

Në tremujorin e tretë të vitit 2020, bankat presin që të vijojë shtrëngimi i standardeve të kreditimit për bizneset,  në  të  dyja  ndarjet  e  tij  sipas  kriterit  të  madhësisë,  si  edhe  në  kreditë  për  qëllim  investimi. Standarde të pandryshuara kreditimi priten të aplikohen vetëm mbi kreditë e akorduara për financimin e inventarëve dhe kapitalit qarkullues.

Të gjithë faktorët që përcaktojnë standardet e kreditimit për bizneset u vlerësuan në kahun shtrëngues. Shtrëngimi i standardeve u ndikua veçanërisht nga perceptimi i bankave për rrezik të shtuar lidhur me situatën ekonomike e perspektivën për të; aftësinë paguese të kredimarrësit si edhe me kolateralin. Po ashtu,  edhe toleranca  më  e  ulët  e  bankave  ndaj  rrezikut ishte  faktor  i  rëndësishëm  në  shtrëngimin  e standardeve  të  kreditimit  për  bizneset. Përzgjedhja  nga  një  numër  më  i  lartë  bankash  i faktorëve  të mësipërm si  përcaktues në  shtrëngimin  e  standardeve  të  kreditimit  solli  thellim  të  mëtejshëm  të balancave negative që përfaqësojnë secilin prejt yre. Bankat kanë cilësuar pandeminë dhe pasiguritë e lidhura me të, si faktorë dominues në shtrëngimin e standardeve të kreditimit në këtë tremujor.

Interes më i lartë për kreditë me rrezik

Kushtet  dhe  termat  e  përgjithshëm  mbi  kreditë  e  reja  akorduar  bizneseve u  shtrënguan në tremujorin e dytë. Pothuajse të gjithë elementet që formojnë kushtet e termat e kreditimit u raportuan më të shtrënguara nga një tremujor më parë. Kushtet çmim u shtrënguan në sajë të marzheve më të larta të aplikuara si mbi kreditë me rrezik, ashtu edhe ato normale. Shtrëngimi i kushteve jo çmim u shpreh në reduktim të madhësisë së kredisë, shtim të kërkesës për kolateral në raport me kredinë e marrë, si edhe kushtëzime më të larta në marrëveshjet e kredive. Në të kundërt, zgjatja e maturitetit maksimal të kredisë akorduar për bizneset,u  raportua si i vetmi faktor me ndikim lehtësues në kushtet e termat e kreditimit në tremujorin e dytë.

Sipas  gjykimit  të  bankave,  kushtet dhe  termat  e  kreditimit  u  ndikuan  negativisht nga perceptimi  për rrezik të shtuar, si edhe tolerancë më të ulët të bankave ndaj rrezikut, nxitur prej situatës së paprecedentë të  shkaktuar prej  Covid-19.  Nga  ana  tjetër, trysnia  e  shtuar  nga  konkurrenca  u raportua  si  faktor me ndikim lehtësues në kushtet e termat e kreditimit për bizneset.

Kërkesa për kredi nga bizneset në rënie

Kërkesa për kredi e bizneseve u raportua në rënie edhe në tremujorin e dytë të vitit 2020. Kërkesa më e ulët për kredi ishte e shpërndarë në të gjitha kategoritë e madhësisë së biznesit. Gjithashtu, kërkesë e dobët u vlerësua si për kreditë dhënë me qëllim financimin e investimeve, ashtu edhe për mbulimin e nevojave për likuiditete.

Në tremujorin e tretë të vitit bankat presin rritje të kërkesës për kredi si nga biznesi i vogël e i mesëm, ashtu edhe nga ai i madh. Në terma të qëllimit të përdorimit, rritja e pritur e kërkesës për kredi është e përqendruar vetëm në kreditë për likuiditete, ndërkohë që ajo për investime pritet sërish në rënie.

Bazuar  në  gjykimet  e  bankave,  kërkesa  e  ulët  për  kredi  nga  ana  e  bizneseve  në  tremujorin  e  dytë u ndikua nga përkeqësimi i besimit të biznesit; rënia e theksuar e nevojave për financimin e investimeve; situata aktuale ekonomike dhe perspektiva e saj; si edhe nevoja më e ulët për financim për bashkimin apo  ristrukturimin  e  kompanive.  Si  faktorë  me  ndikim  pozitiv  në  zgjerimin  e  kërkesës  për  kredi  u raportuan nevojat  më  të  larta  për  rifinancimin/ristrukturimin  e  borxheve  ekzistuese, mungesa  e burimeve  alternative  të  financimit  në  formën  e  kredive nga bankat e  tjera dhe nga  institucionet financiare jo banka, si edhe niveli i favorshëm i normave të interesit. Si faktor që ka zgjeruar kërkesën për kredi gjatë këtij tremujori, në gjykimin e bankave ishte edhe skema e garancisë sovrane, ofruar nga qeveria shqiptare në mbështetje të sektorëve të prekur prej efekteve negative nga Covid-19.

Më e vështirë edhe për individët të marrin hua

Standardet e kreditimit për individët vijuan shtrëngimin edhe në  tremujorin e dytë  të  vitit 2020. Standarde të shtrënguara kreditimi u raportuan si në kreditë për blerje banesash, ashtu edhe në ato për financimin e konsumit. Në tremujorin e tretë të vitit 2020, bankat presin t’i lehtësojnë standardet e kreditimit për individët, si në kreditë për blerje banese, ashtu edhe ato konsumatore.

Në tremujorin e dytë të vitit 2020,të gjithë faktorët që ndikojnë standardet e kreditimit për individët u raportuan  në  kahun  shtrëngues. Balancat  më  të  theksuara  negative  erdhën  kryesisht  nga  treguesit  e lidhur me perceptimin për rrezik të shtuar lidhur me situatën makroekonomike në vend e perspektivën për të ;aftësinë paguese të kredimarrësit; zhvillimet aktuale dhe të pritura në tregun e banesave; si edhe kolateralin dhe tolerancën më të ulët të bankave kundrejt këtij rreziku.

Kushtet dhe termat e përgjithshëm për kreditë akorduar individëve u shtrënguan në tremujorin e dytë të vitit 2020. Shtrëngimi i tyre u arrit nëpërmjet kushtëzimeve më të larta në marrëveshjet e kredisë, reduktimit të madhësisë së kredisë dhe shtimit të lehtë të marzheve mbi kreditë me rrezik.

Shtrëngimi i kushteve dhe termave të kreditimit për individët u diktua nga perceptimi për rrezik të shtuar nga ana e bankave, si edhe nga një tolerancë më e ulët ndaj rrezikut.

Kërkesa e individëve për kredi u perceptua me rënie të theksuar edhe në tremujorin e dytë të vitit, si për kredinë konsumatore, ashtu edhe për financimin e blerjes së banesave. Në tremujorin e tretë të vitit 2020,kërkesa për kredi e individëve pritet të rritet disi, e përqendruar vetëm në kreditë konsumatore.

Sipas gjykimit të bankave, pothuajse të gjithë faktorët që ndikojnë kërkesën për kredi të individëve kanë qenë në kahun negativ në tremujorin e dytë të vitit. Kështu, nevojat më të ulëta në financimin e blerjes së  banesave  dhe  të  konsumit,  përdorimi  më  i  lartë  i  burimeve  të  brendshme  të  financimit,  shtimi  i kredive në bankat dhe institucionet e tjera financiare jobanka, zhvillimet aktuale dhe të pritura në tregun e banesave, si edhe rënia e besimit konsumator sollën reduktimi ne theksuar të kërkesës për kredi në tremujorin  e dytë të  vitit. Po  ashtu, bankat kanë  vlerësuar se  në  tremujorin  e  dytë  të  vitit  rënia  e  të

8ardhurave dhe pasiguria financiare për të ardhmen, të shkaktuara nga zgjatja e periudhës së pandemisë, ishte një prej faktorëve kryesorë që solli rënien e kërkesës për kredi. I vetmi faktor që vlerësohet të ketë shtuar  kërkesën  për  kredi  nga  ana  e  individëve  është  raportuar  rifinancimi/ristrukturimi  i  borxhit ekzistues./monitor/

Shpërndaje