Në Institucionin e Presidentit të Republikës u zhvillua sot ceremonia solemne e betimit të anëtares më të re të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) Manjola Kajana.
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, Prokurorja Manjola Kajana u betua para Presidentit të Republikës Ilir Meta se:
“Betohem solemnisht se gjatë kryerjes së detyrës do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës profesionale!”
Presidenti Meta i uroi suksese dhe punë të mbarë prokurores së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke i kërkuar të ushtrojë detyrën në mënyrë profesionale dhe të pavarur, duke iu bindur vetëm Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.
Në ceremoninë e betimit ishin të pranishëm edhe Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gent Ibrahimi, si dhe Kryetari i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Arben Kraja.