Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj- Halimaj ka takuar në Tiranë zëvendëskryeministrin e Shqipërisë, Erion Braçe.
Në këtë takim u diskutua për përgatitjet për mbledhjen e të dy qeverive, që pritet të mbahet muajin shtator në Shkodër, e ku pritet të nënshkruhen disa marrëveshje të reja mes dy qeverive.
Zëvendëskryeministrja Balaj-Halimaj kërkoi nga Qeveria shqiptare që të shikojë mundësitë për pezullimin e taksës në Rrugën e Kombit për qytetarët e Kosovës, për së paku dy muaj, deri më 15 shtator.
Po ashtu, ajo ka kërkuar që të eliminohen të gjitha pengesat që po pamundësojnë̈ realizimin e marrëveshjeve të arritura më herët; siç është funksionalizimi i plotë i pikës doganore në Durrës, unifikimi i kodit doganor, njohja e dokumentacioneve recioproke për eksport dhe import, si dhe kërkesën e Odës së Farmacistëve të Kosovës për listën e çmimit të barnave.
Nga ana e tij, zëvendëskryeministri Braçe u zotua se kërkesën për pezullimin e taksës do ta ngre në mbledhjen e ardhshme të qeverisë së Shqipërisë, që pritet të mbahet këtë javë. Po ashtu ai shprehu angazhimin e tij dhe vullnetin në realizimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura mes dy vendeve tona.
Balaj-Halimaj tha se i gjithë përkushtimi i saj do të jetë në funksion të zbatimit të marrëveshjeve të arritura më herët dhe marrëveshjeve të reja që mund të arrihen në shtator e që për qëllim do të kenë lehtësimin e jetës së qytetarëve andej e këndej kufirit.
Temë e këtij takimi ishte edhe menaxhimi i pandemisë COVID-19 në dy vendet./ monitor.al