Një ditë pas mbylljes së kufirit me Malin e Zi, punëtorët sezonal nga qyteti i Shkodrës i janë drejtuar Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor për të bërë tamponin.
Rezultatet negative të tamponit, të çertifikuar nga Bashkimi Europian është një nga kushtet që duhet të plotësojnë këta punëtorë për të kaluar në territorin e Malit të Zi. Pasi kanë kërkuar të bëjnë testin në drejtorinë përkatëse, ato janë përballur me paqartësi sa I takon kryerjes së këtyre procedurave.
Punëtorët tregojnë se nga ana e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor nuk kanë marrë përgjigjen e duhur ndaj nuk dijnë ku të drejtohen për të bërë tamponin. Të ardhurat e vetme që ato arrijnë të sigurojnë janë përmes punës në shtetin fqinj.
Sipas përfaqësuesve të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, ka një paqartësi në marrëveshjen mes dy shteteve, atë shqiptar dhe të Malit të Zi, pasi tamponi duhet të jetë I njohur nga Bashkimi Europian dhe duhet të kryhet çdo 48 orë, por deri tani nuk ka asgjë zyrtare për zbatimin e këtij vendimi. Ndërkohë, deri në përcaktimin përfundimtar të kritereve të veçanta për të kaluar kufirin e Malit të Zi, shumë punonjës sezonal në qytetin e Shkodrës duket se do të ngelen të papunë.