Për herë të parë që prej përhapjes së pandemisë COVID-19, qyteti i Shkodrës ka regjistruar numrin më të madh të personave të infektuar me Koronavirus krahasuar me qytetet e tjera duke përfshirë edhe Tiranën.
Nga mostrat e marra një ditë më parë, 12 prej tyre kanë rezultuar pozitivë. Numri më I madh I të infektuarve I pëket disa punonjësve në fasoneri dhe kontakteve të personave të infketuar më herët.
Ndërkohë, vijojnë të rriten rastet e të infektuarve në Spitalin e Shkodrës ku janë konfirmuar një mjek kirurg dhe një infermiere e kirurgjisë. Gjithashtu e infektuar me Koronavirus është edhe një mjeke familje.
Aktualisht në total, numri i të prekurve në qarkun Shkodër arrin në 210 persona ndërsa raste aktive janë 112 prej tyre në rang qarku. Një ditë më parë, në bashkinë Pukë u shënua një tjetër viktimë nga COVID-19.
Bëhet fjalë për një të moshuar 68 vjeç, i cili vuante edhe nga sëmundje të tjera shoqëruese. Në këtë bashki janë aktualisht pozitivë 14 persona, dy prej të cilëve janë të shtruar në Spitalin Infektiv në Tiranë.
Gjatë 24 orëve të fundit në Shkodër, sipas Ministrisë së Shëndetësisë janë shëruar edhe dy pacientë të infektuar me koronavirus në qytetin e Shkodrës.
Deri më tani, në kuadër të hetimit epidemiologjik që po bëhet nga specialistët e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor janë testuar mbi 1700 qyetarë.
Prej ditësh ka nisur edhe një herë fushata sensiblilizuese për ruajtjen e higjienës dhe distancës fizike nga ana e qytetarëve.