Air Albania, operatori shqiptar i tregut ajror, ka njoftuar se nga 22 qershori do të rifillojë fluturimet e rregullta drejt Stambollit.
Air Albania bëhet operatori i katërt që rifillon fluturimet pas Austrian Airlines, që ka nisur me Vjenën katër herë në jave, Aegean Airlines me Athinën dhe Air Serbia me Beogradin.
Përpara mbylljes nga Covid 19, Air Albania filloi fluturimet dhe drejt Italisë dhe planifikonte Londrën. Kompania tha se shumë shpejt do nisin fluturimet dhe drejt destinacioneve të tjera.
Në vitin 2019 nga dhe drejt Aeroportit të Rinasit fluturuan rreth 3.3 milionë pasagjerë, duke arritur një nivel rekord. Gjysma e pasagjerëve kishin si destinacion kryesor Italinë.
Dje, Tirana International Airport njoftoi se kanë rifilluar fluturimet në tre destinacione nga Aeroporti i Rinasit, në Vjenë, Athinë dhe në Beograd
Por, aeroporti paralajmëroi se nisjet nga Shqipëria janë ende të kufizuara për personat që nuk janë të pajisur me leje qëndrimi apo pasaportë për destinacionet e sipërpërmendura. Lejohen të udhëtojnë vetëm rezidentët në Bashkimin Europian dhe nënshtetasit EU.