Thethi, destinacion i turizmit malor, rruga drejt Alpeve Shqiptare është magjike

Shpërndaje

Alpet shqiptare ofrojnë pamje të mahnitshme për syrin e vizitorëve. Duke sjellë pamje nga rruga që të çon në fshatin turistik të Thethit, Administrata e Zonave të Mbrojtura Shkodër shprehet se pamjet flasin vetë.

Jo të gjitha rrugët ju çojnë në Theth, ama, ato që ju çojnë atje janë magjike. Aksi Shkodër- Malësi e Madhe-Bogë-Qafë-Thore-Theth ia vlen të kalohet për pamjet e mahnitshme që të ndesh syri.

Nga Shkodra do të kaloni në territorin e bashkisë Malësi e Madhe, do të vizitoni fshatin piktoresk të Bogës. Thethi është magji turistike që duhet përjetuar e ripërjetuar. “Nëse nuk keni vizituar Thethin, të paktën një herë, nuk keni shijuar turizëm malor në Shqipëri”, shprehet ADZM Shkodër.

Thethi, tabloja me e bukur natyrore, ku vijat e telajos ngjiten dhe zbresin duke krijuar thyer më fantastike të peizazhit e pastaj zbresin si në një kupë në rrafshnajën e Thethit duke krijuar një shtrojë të gjelbër ku janë ngulur kullat shekullore, ashtu të ngurta prej guri që hahen me malet.

Thethi është një fshat në njësinë administrative Shalë në qarkun e Shkodrës dhe është qendra e Parkut Kombëtar të Thethit.

Bukuritë e papërsëritshme të këtij fshati malor në zemër të Alpeve shqiptare, e bëjnë Thethin që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar./atsh/ KultPlus.com

Shpërndaje